Vazhdon vaksinimi, 200 mjekë të Kosovës priten sot në Kukës

Edhe 200 mjekë të Kosovës pritet që të udhëtojnë sot drejt Kukësit për të marrë dozën e parë të vaksinës antiCovid.

Lajmi është konfirmuar, nga kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla i cili ka folur për mediat ne Kosovë. Syla ka shtuar se mjekët e tjerë që morën dozën e parë të vaksinës javën e kaluar  janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë shfaqur efekte anësore.

“Të shtunën për në Kukës do të udhëtojnë edhe 200 mantelbardhë për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid. Mjekët që u vaksinuan javën e kaluar janë të gjithë mirë. Nuk kanë pasur ndonjë problem të theksuar, përveç reaksioneve normale”, ka thënë Syla.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka filluar një program vaksinimi. Kryeministri Edi Rama është zotuar se Shqipëria do të vaksinojë të gjithë personelin mjekësor në Kosovë.


Shtuar 27.03.2021 10:25