U vra në sulmin e Banjskës, Escobar takon familjarët e policit Afrim Bunjaku

I dërguari amerikan në Kosovë, Gabriel Eskobar, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka takuar edhe familjarët e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit terrorist të serbëve në Banjskë.

Policia e Kosovës bën me dije se Escobar shprehu ngushëllime për humbjen e rreshterit Bunjaku.

“Gjatë vizitës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit (ZNS) Gabriel Escobar në Kosovë, ai kërkoi dhe ju dha kohë për tu takuar me të venë dhe djemtë e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, të cilët shoqëroheshin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. ZNS Escobar, në prani të Ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier, dhe Atasheut të DOJ-ICITAP-it Kimberly Riffe, shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes për humbjen tragjike të babait/bashkëshortit të tyre. Ngjarja ishte shumë emocionuese dhe e përzemërt dhe personalitetet e larta i shprehën ngushëllimet e tyre familjes dhe Policisë së Kosovës” thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka informuar Escobarin për sulmin e 24 shtatorit dhe situatën aktuale të sigurisë në veri.

“Në një takim të veçantë, DP Hoxha informoi ZNS Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, dhe situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. ZNS Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt më kreun e Policisë së Kosovës. DP Hoxha përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer,” bëhet me dije më tej në njoftim./albeu.com 


Shtuar 18.03.2024 13:41