Të zhdukurit e luftës, kush janë dy serbët që Kurti ia përmendi Vuçiçit në takimin e Brukselit

Kryeministri Albin Kurti ia ka përmendur Aleksandër Vuçiçit në takimin që ka pasur në Bruksel dy serbë Veljko Odaloviçin dhe Zoran Angjelkoviçin lidhur me njohuritë që këta dy kanë për personat e zhdukur me dhunë gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Veljko Odaloviçi ka qenë udhëheqësi kryesor jugosllav në Kosovë pas vitit 1997, ndërkaq tani mban postin e Presidentit të Komisionit për Personat e Zhdukur në qeverinë e Serbisë.

Kurse Zoran Angjelkoviç ka shërbyer si President i Këshillit Ekzekutiv të Përkohshëm për Kosovën nga viti 1998. Mediat ndërkombëtare siç është New York Times kishin raportuar për e Angjelkoviçin.

NYT shkruan se Angjelkoviq pas hyrjes së NATO-s ka qëndruar në zyrën e tij në Këshillin Ekzekutiv të Përkohshëm për Kosovën në Prishtinë.

“Plani im personal është që të mos largohen derisa situata të stabilizohet. Nëse unë largohem të gjithë ata që s’janë shqiptarë do të largohen”, kishte thënë Angjelkoviç. Në katër propozimet që kryeministri Kurti ia ka bërë Vuçiçit në tavolinë në pikën katër shefi i qeverisë kosovare ka kërkuar që për çështjen e të pagjeturve të pyeten Odaloviç dhe Angjelkoviç, të cilët kanë udhëhequr me Kosovën e pushtuar.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviç, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e pushtuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviç”, ka thënë Kurti./ Gazeta Express


Shtuar 15.06.2021 15:51