Sulmi në Gllogjan: Dy-tri pista hetimi, të intervistuar e bastisje në kërkim të vrasësit

Ultimatum për t’u dorëzuar i ka bërë sot ministri i Punëve të Brendshme personit të dyshuar për vrasjen e 3 personave e plagosjen e një tjetri një natë më parë. Derisa i njëjti ende nuk është identifikuar, nga Prokuroria e Policia thanë se janë duke hetuar në disa drejtime te ndryshme, por që ende nuk kanë diçka konkrete.

Në të njëjtin vend ishte edhe këtë të shtunë autobusi, sulmi mbi të cilin të premten mbrëma la të vrarë shoferin e dy udhëtarë.

Gjurmët e sulmit në Gllogjan ishin të freskëta. E ekipet e hetuesisë vazhdonin të merreshin me to për zbardhjen e rastit.

Në vendngjarje, gjatë së shtunës qëndroi edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, por që nuk pranoi të deklarohej.

Derisa hetimet janë duke vazhduar, i dyshuari ende nuk është identifikuar.

Me rastin është e ngarkuar prokurorja Sahide Gashi, e cila tregoi për dyshimet e para por pa dhënë shumë detaje.

E në Deçan qëndruan ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, e drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

Pas takimit, Mehmeti tha se janë në hetim të disa pistave të mundshme, e nga të njëjtat nuk hedhet poshtë mundësia që mund të ketë më shumë se një të dyshuar.

Sipas drejtorit të Policisë, moti jo i mirë ia ka vështirësuar punën në teren.

Kurse ministri Svecla tha se kanë vënë në funksion të gjitha kapacitetet që rasti të zbulohet sa më parë, derisa i vendosi një ultimatum dorasit.

Ministrit Xhelal Svecla, e drejtorit të Policisë, iu bashkua edhe kryetari i Deçanit në thirrjen që qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastin t’i njoftojnë organet kompetente.

DEK: Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit

Të premten mbrëma tre persona kanë vdekur, në mesin e tyre dy nxënës, e një tjetër është lënduar, pas sulmit me armë zjarri ndaj një autobusi në fshatin Gllogjan.

Në shenjë solidarizimi me familjarët e viktimave, banorë të Deçanit ndezën qirinj.


Shtuar 27.11.2021 19:46