“S`je shef i shtetit”; “dinarin merre në Amerikë”: Eksponentët e VV-së i “turren” ambasadorit amerikan

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka përgënjeshtruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se partneriteti i Kosovës me SHBA-në nuk është prekur.

Ky demantim brutal ka nervozuar zyrtarët e lartë të partisë në pushtet, të cilët kanë nisur sulmet t ndaj diplomatit amerikan.

Eksponentë të ndryshëm të VV-së, përfshirë deputet e këshilltar, nuk kanë kursyer as fyerjet ndaj ambasadorit Hovenier.

Ata ia kanë përmendur kompetencat ambasadorit, duke thënë se nuk duhet t` kalojë ato.

Kritikat e Hovenierit nuk i ka përbir as deputeti i VV-së, Dimal Basha.

Ai ka marrë guximi që ambasadorit amerikan t`i thotë se reagimi i djeshëm kundër Kurtit nuk ka qenë në mandatin e tij.

“Me krejt respektin për ambasadorin amerikan, por si duket edhe ky po reagon përtej mandatit që e ka! Fillimisht ta sqarojmë se serbët kanë drejtë me mbajt dinarin në banka, vetëm për transaksione ju kërkohet t’i bëjnë me euro, dhe atë duke ju dhënë mundësi për një kohë tranzicionale! Për më tepër, po u jepet mundësia që edhe xhirollogaritë t’i hapin falas! Dhe pas krejt kësaj ambasadori prapë vazhdon me konferenca për shtyp duke ushtru padrejtësisht presion ndaj qeverisë së Kosovës!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Më tej, Basha është munduar t`i tregojë ambasadorit amerikan pasojat që po ia shkakton Kosovës me veprimet e tij.

“Veç kuptona se janë disa pasoja të dëmshme si rrjedhojë e reagimeve tuaja z. Ambasador: e para, kjo kërkesë e juaja shkon në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë! Tash reagimet e juaja vetëm çka po e legjitimojnë Vuçiqin në kërkesat e tij absurde. Kjo sallamadi ka zgjatë 15 vjet, dhe sikur ambasadat ta kishin pas këtë çështje kaq për zemër, kaherë e kishin kërku implementimjn. Qeveria megjithatë ka ofru të gjitha mundësitë për një tranzicion të arsyeshëm, ju thirni konferenca për shtyp me dyfishu presionin, pa asnjë argument të vetëm, por vetëm pse Vuçiqi atje po ankohet! E dyta, pse gjithë ky presion në Kosovën që synon me mbrojt ligjin e Kushtetutën, kurse ambasada Amerikane në Beograd fle gjumë dhe nuk i dëgjohet zëri për asnjë krim të Vuçiqit, e sidomos ato në raport me Kosovën! Torturon rival poltik pse kërkojnë falje për krime që rehe ju i dini, kidnapon policë, organizon sulme terroriste në Kosovë, diskriminon ndaj shqiptarëve në Luginë, dhe nuk ka konferenca atje”, ka shkruar Basha.

Sipas tij, ambasadori bën gabim të madhe nëse mendon se mund të sillet si shef i shtetit.

“Populli shqiptar ka respekt e dashni t’jashtëzalonshme për Amerikën, por shef e ka zgjedh Albin Kurtin, dhe jeni gabim nëse mendoni se e pranojnë çdo mendim të çdo ambasadori amerikan! E treta, po manipuloni me opinionin kur po i paketoni kërkesat e Vuçiqit si kërkesa të Amerikës! Ne po i refuzojmë ankesat dhe britmat e Vuçiqit, dhe refuzimi jonë nuk ka asgjë të bëj me Amerikën. Nuk është se e kemi ndaluar dollarin amerikan, të cilin dollar edhe familja ime detyrohet ta këmbej dhe s’ka asnjë ankesë, prandaj refuzojmë Vuçiqin, e jo Amerikën siç po e paketoni reagimin! Dinari mund të rëndoj raportet tona me Serbinë, por jo me Amerikën, sepse dinari nuk është valutë amerikane!”, ka shkruar Basha.

Edhe Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar një status kundër diplomatit amerikan.

Në shkrimin e tij, Feraj ka shkruar se tash partneriteti me ShBA-në po thonë se bazohet në dinarët e Serbisë.

“Fillimisht na thanë se partneriteti me SHBA-të bazohet në vlerat amerikane, tani po na thonë se bazohet në dinarët e Serbisë. Sa dinarë?”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Fyerje edhe më të ulëta në drejtim të ambasadorit ka lansuar avokati Tomë Gashi, i cili njihet si militant i flaktë i kryeministrit Albin Kurti.

Përmes një statusi në profilin e tij në “Facebook”, ai ka fyer ambasadorin amerikan dhe SHBA-në.

“Ta pshurrsha dinarin e Serbise! Nese shume e doni kete dinarin bane valute zyrtare ne ?? Apo me shume preferoni rublen Ruse? Mos e dhini punen! Miqet nuk kercenojn !” – ka shkruar ai.

Pas disa orëve, Gashi i ka rënë pishman për këtë status dhe e ka fshirë atë.

Demanti i ambasadorit amerikan
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dje ka theksuar se raportet në mes Kosovës dhe ShBA-së janë prekur pas vendimit për dinarin serb.

Në një konferencë për media, ai është shprehur i shqetësuar me veprimet e Qeverisë së Kosovës.

“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovoës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.”, ka deklaruar ambasadori Hovenier.

Diplomati amerikan ka thënë se SHBA-së është e përkushtuar që të mbështes popullin e Kosovës.

Pavarësisht mospajtimeve me Qeverinë, ai ka thënë se të shtunën do të jetë i pranishëm në ceremoninë për të festuar 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“SHBA përkushtohet për popullin e Kosovës dhe jemi plotësisht të përkushtuar. Dhe të shtunën do të festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe gjithsesi se do të jemi i pranishëm për të festuar atë që kemi arritur se bashku. Por, kjo nënvizon prapë atë se sa problematik është ky moment. Pra, Qeveria duket se nuk po punon në partneritet me neve. Pra duan të shmangim gjera të tilla që të ndodhin në të ardhmen”, ka thënë diplomati amerikan.

Ambasadori amerikan është pyetur edhe pasojat e mundshme ndaj Kosovës, nëse Qeveria nuk reflekton ndaj kërkesës së SHBA-së për të pezullua rregulloren e re të BQK-së.

“Kjo na bëhet shpesh si pyetje. Është bërë e njëjta gjë edhe në Departamentin e Shteti. Dhe është thënë se nuk jemi në pozitën për të folur për ndonjë masë specifike dhe këtë mund ta them edhe unë. Por po them prapë, siç e ka thënë z. O`Brien, ne do të shpresonim që Qeveria dhe kryeministri Kurti do të angazhohet si partnerë që ta zgjidhim këtë çështje se bashku në vend se të marr veprime të njëanshme”, është shprehur ai.

Ndryshe, dje kryeministri Kurti u pyet nëse janë prekur marrëdhëniet me ShBA-në, duke u përgjigjur në mënyrë të vetëvendosur se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“A po rrezikohet partneriteti me Amerikën?”, ishte pyetja e një gazetari drejtuar Kurtit dje.

“Nuk po rrezikohet, nuk po rrezikohet”, ishte përgjigja e Kurtit. /nacionale/


Shtuar 17.02.2024 14:57