Si kurrë më parë: 8 skuadra shqiptare në turin e dytë të Ligës së Konferencës, Superiorja kishte mbrëmjen e saj me fat

Vllaznia mbylli në mënyrën më të bukur mbrëmjen e sotme për futbollin shqiptar, teksa ishte e treta nga skuadrat e Kategorisë Superiore që siguroi kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Konferencës.

Të njëjtën gjë e bënë sot edhe Partizani me Laçin. Por lista e kluveve shqiptare në këtë kompeticion nuk mbyllet vetëm me këta të tre, pasi në fazën tjetër do të jenë të pjesëmarrëse edhe 5 skuadra të tjera.

Si kurrë më parë plot 8 klube do të luajnë në një tur kualifikues në Europë. Përveç Vllaznisë, Laçit dhe Partizanit edhe kampionët e Superiores, Teuta, i bashkohen në raundin e dytë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.

Të njëjtën rrugë si durrsakët ndjek edhe Shkëndija me Prishtinën, që nuk mund të kalonin turin e parë në Ligën e Kampionëve. Ndërsa edhe dy ekipe të tjera, Shkupi dhe Drita kanë siguruar sot biletën pas fitores në një derbi shqiptar, përkatësisht me Llapin dhe Deçiçin.

Shtuar 15.07.2021 23:31