Më 28 qershor të këtij viti, Ushtria e Serbisë pritet të zhvillojë një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade”, në një datë që përkon me Betejën e Kosovës, të cilën serbët e shënojnë si “festën e Vidovdanit”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar këtë ushtrim si më të rëndësishmin që ka mbajtur deri tani Serbia, duke bërë të ditur se aty do të prezantohet edhe armatimi më i ri i ushtrisë serbe.
Të lidhura
None found
Lidhur me këtë zhvillim, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Siguri, Mentor Vrajolli, ka deklaruar për KosovaPress se nuk vlerëson se ekziston ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë për Kosovën nga stërvitja që do të mbahet më 28 qershor në “Pasuljanske Livade”.
Megjithatë, sipas tij, shqetësimi qëndron te simbolika e kësaj date, e cila, siç thotë ai, përcjell një mesazh politik tjetër dhe tregon se Serbia ende e mban si ambicie afatmesme ose afatgjate një konflikt në Kosovë.
Vrajolli: Ushtrimi ushtarak i Serbisë për “Vidovdan”, ambicie afatmesme për konflikt në Kosovë
“Nuk shoh ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për datën në fjalë, por shoh rrezik nga simbolika e cila reflekton një mesazh tjetër politik që Serbia edhe më tutje e ka si ambicie afatmesme apo afatgjate një konflikt të drejtpërdrejtë në Kosovë apo agresion drejtpërdrejt Kosovës, gjë që e bën shqetësuese të ardhmen afatmesme apo afatgjate të Kosovës e që në një formë i legjitimon nevojat e Kosovës që të ndërtojë një sektor të mbrojtjes stabile. Ajo që mbase në plan afatshkurtër është që Serbia veçse i ka marrë disa mesazhe mjaft të qarta edhe nga BE-ja dhe NATO që sulmi në Banjska është përgjegjësi e tyre dhe ata duhet t’i dorëzojnë personat që kanë qenë të përfshirë dhe nuk shoh që kjo datë mund të evoluoj në një kërcënim të drejtpërdrejtë por duhet të fokusohemi më tepër në aspektin simbolik”, tha Vrajolli..
Vrajolli theksoi gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i dërgojë sinjale të qarta Serbisë dhe t’ia bëjë të ditur se çdo përshkallëzim i mundshëm në Kosovë do të sillte pasoja të drejtpërdrejta për të.
Vrajolli: Nëse largohet KFOR-i, kërcënimi për Kosovën është jashtëzakonisht real
“Mendoj që është ndoshta jashtë limiteve që komuniteti ndërkombëtar mund të ndikojë në këtë drejtim. Megjithatë kjo është edhe një shenjë tjetër për çka sektori i mbrojtjes së Kosovës duhet të ndihmohet nga shtetet aleate dhe mbase edhe anëtarësimi në NATO duhet të prioritizohet që të parandalohet ndonjë situatë kërcënuese që ky ushtrim mbase edhe mund ta paraqes. Nuk besoj që mund të ketë mbase sot kërcënim të drejtpërdrejt, pasi Kosova edhe më tutje vazhdon të jetë mision i konsoliduar i NATO-s dhe po ashtu trysnia ndaj Serbisë aktualisht është e madhe edhe për shkak të incidentit në Banjska, por në një të ardhme afatmesme apo afatgjate sidomos, nëse një pjesë apo i gjithë kontingjenti i KFOR-it largohet, kërcënimi është jashtëzakonisht real dhe kjo e bën të qartë për qytetarët e Kosovës se sektori i mbrojtjes duhet të prioritizohet”, tha ai për KosovaPress.
Për KosovaPress ka folur për këtë çështje edhe ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, i cili u shpreh se ky ushtrim ushtarak i Serbisë i ngjall druajtje, pasi mund të shërbejë si mundësi për ndonjë agresion të mundshëm.
Ish-koloneli i FSK-së: I druhem ushtrimit ushtarak serb për “Vidovdan”, është mundësi për ndonjë agresion
“Sa i përket ushtrimit ushtarak që është më 28 qershor, ata që e kanë Vidovdanin, ne që jemi moshë më e vjetër e dimë Vidovdanin e 89-ës kur pat ardhur Millosheviqi në Prishtinë. Personalisht e kam parë. Konsideroj që do të nevojitet një analizë shumë e madhe e sektorit të sigurisë, kontaktet me partnerët ndërkombëtarë sepse i druhem këtij ushtrimi ushtarak. Të gjitha atyre njësive që ata siç mora vesh do të i angazhojnë në atë ushtrim, është rast, rast, mundësi për ndonjë agresion të mundshëm. Po kjo nevojitet, një analizë më, më e hollësishme”, tha Veseli.
Sipas Veselit, Vuçiq do të përdorë çdo mjet për të zhvendosur vëmendjen nga lëkundjet që po përjeton pushteti i tij, ndërsa paralajmëroi se kjo situatë përbën rrezik serioz për Kosovën.
Veseli:Kosova dhe NATO duhet të përgatiten
“Nuk është vetëm kjo. Kjo është veç si pretekst, si datë. Mirëpo po ashtu ka shumë faktorë si kur situata e Serbisë, çfarë është? Lëkundja nga pushteti i Vuçiqit dhe aparatit të tij kriminal. Ai gjithçka do të bëjë që ta tërheqë vëmendjen diku tjetër. Pra ne jemi të ekspozuar nga ky rrezik dhe konsideroj që organizatat tona të sigurisë, pra Kosova në tërësi, edhe NATO-ja, duhet të përgatiten sepse konsideroj që është një rrezik shumë i madh”, tha Veseli për KosovaPress.
Në anën tjetër, Beteja e Kosovës është përdorur ndër vite nga Kisha dhe politika serbe si instrument simbolik dhe politik.
Data 28 qershor lidhet me zhvillimin e Betejës së Kosovës, ku koalicioni i ushtrive të popujve të Ballkanit u mposht nga Perandoria Osmane. Pas kësaj disfate, popujt e Ballkanit ose ranë nën pushtimin osman, ose u detyruan të bëheshin vasalë të sulltanit. Princërit shqiptarë vazhduan rezistencën, ndërsa më i shquari prej tyre ishte Skenderbeu. Serbia u bë pjesë e Perandorisë Osmane.
Beteja e Kosovës u zhvillua më 28 qershor (15 qershor sipas kalendarit të vjetër), 1389 në Fushën e Kosovës, ndërmjet koalicionit të ushtrive të popujve të Ballkanit, të udhëhequr nga princi Lazar, dhe forcave otomane të drejtuara nga sulltani Murati I (mbretëroi 1360–89). Përleshja ishte e ashpër dhe aty mbetën të vrarë të dy udhëheqësit, Princi Llazar dhe Sulltan Murati, si edhe shumë princër të tjerë. Të dy ushtritë pothuajse u shuan plotësisht.
Megjithatë, Perandoria Otomane kishte burime të mjaftueshme për të krijuar një ushtri të re në një kohë më të shkurtër. Popujt e Ballkanit nuk arritën të rikuperoheshin shpejt dhe shumica e tyre përfundimisht ranë nën sundimin otoman.
Për Betejën e Kosovës nuk ekzistojnë shumë të dhëna, madje një pjesë e madhe e tyre kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Për këtë arsye, kjo ngjarje sot njihet më shumë për mitet që e rrethojnë sesa për faktet historike.
Nën sundimin e Sulltan Muratit I, otomanët e zgjeruan kontrollin e tyre nga Anadolli drejt Ballkanit. Në verën e vitit 1389, Sulltan Murati mbërriti në Kosovë, ku u përball me koalicionin e princave.
Edhe pse beteja shpesh paraqitet si një përballje mes serbëve dhe turqëve, apo mes të krishterëve dhe myslimanëve, faktet tregojnë të kundërtën.
Në njërën anë qëndronin otomanët, në ushtrinë e të cilëve kishte edhe ushtarë nga popujt dhe princërit vasalë të tyre, përfshirë edhe të krishterë.
Në anën tjetër ndodhej një koalicion princash të popujve të Ballkanit, ku bënin pjesë edhe shumë princa shqiptarë.
Dihet se Princi Llazar u vra në këtë betejë, por rrethanat e vrasjes së tij nuk janë të njohura. Princi tjetër serb, Vuk Brankoviq, kur pa se beteja nuk mund të fitohej dhe se duhej të shpëtonte sa më shumë ushtarë, u tërhoq. Në rrëfimet serbe, ai përshkruhet si tradhtar dhe tërheqja e tij si shkaku i vdekjes së Princit Lazar.
Në këtë betejë mbeti i vrarë edhe Sulltan Murati I, për të cilin besohet se u vra nga Milosh Obiliqi, një prej figurave kryesore në tregimet dhe legjendat për Betejën e Kosovës.
Vitin e kaluar, “Vidovdani” u festua në Gazimestan nga qytetarë serbë të Kosovës, por edhe nga të ardhur nga Serbia, ndërsa udhëheqësit fetarë i kushtuan himne dhe këngë Shën Vitusit dhe martirëve të betejës.
Manifestimi kaloi pa incidente të mëdha, me përjashtim të shoqërimit në polici të dy pjesëmarrësve për identifikim dhe të një rasti tjetër kur një politikan serb u largua nga hapësirat ku po zhvillohej aktiviteti, pasi nuk i zbatoi urdhrat e Policisë së Kosovës.
