Serbia, nxitëse e ndryshimit të kufijve, Shehu: “Divorci paqësor” i Republika Srbska, mësim për Kosovën dhe të gjithë!

Deputeti demokrat Tritan Shehu, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmëndje votimin historik të Asamblesë së OKB-së, e cila njohu gjenocidin serb ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë.

Në reagimin e tij, Shehu, thekson se qëndrimi që pasoi atë votim të OKB-së i mbajtur nga përfaqësuesit e së ashtuajturës Republika Srpska në Bosnjë është një mësim për Kosovën dhe të gjithë të tjerët që kërcënojnë me krijimin e një shteti serb brenda shteteve të pavarura.

Reagimi i plotë i Tritan Shehut

“Divorci paqësor” i Republika Serbska, mësim për Kosovën dhe të gjithë! Ajo “Republikë” brenda një Republike kërkon ndarje nga Bosnja!

Kjo u justifikoka si “reagim i miratimit” të Rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë nga OKB?!

Kur ka shumë kohë që drejtuesit e atij “intetiteti” kërkojnë të provokojnë,  krijojnë artificialisht tensione, që të largohet nga Bosnja për drejt Serbisë.

Pra, ajo “Republikë” po kërkon zhdukjen e saj për t’u “fagocituar” nga Serbia, e cila jo vetëm ka “hapur krahët” për t’i pritur, por dhe dukshëm a fshehurazi, është nxitëse e këtyre tentativave për ndryshimin e kufijve.

Paralelizëm aktual apo perspektiv ky me Kosovën dhe Veriun e saj, Asociacionin?

Së paku është një sinjal alarmi për një skenar të tillë dhe aty në qoftë se do të krijohen dy intetitete larg njëra-tjetrës, artificialisht në bashkëjetesë, siç ndodhi në Bosnjë.

Mësim ky për të kuptuar se çdo skemë “sui generis”, jo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Kartën për Minoritetet të KiE-së, që cenojnë fizionominë e atij shteti për të qenë “një shtet”, mund të çojnë drejt skenarëve të tillë!

Me ndryshime kufijsh këto në Rajon, hapjen e “Kutisë së Pandorës”, pa ditur aspak çfare do ndodhë më tej.

“Mësim demonstrativ” ky me atë “Republikë” për të kuptuar se Serbia ka si objektiv madhor “Serbinë e Madhe”, njëlloj si dikur me Millosheviçin. Kjo qoftë përballë Bosnjës, ashtu dhe përballë Kosovës, por dhe më gjerë.

Pra, për të mos pasur iluzione se Serbia është bërë europeiste, me kërkesa për të drejtat e objektiva zhvlerësimin e kufijve nesër brenda BE-së!

Iluzione këto për ata që u besojnë, së paku edhe për dekada. Iluzione që mund të çojnë në skenarë të rrezikshëm, destabilizues dhe pengues për integrimin tonë europian.

Prandaj “mësimet” duhen lexuar me shumë kujdes.


Shtuar 25.05.2024 09:42