Seanca për presidentin, në Kuvendin e Kosovës të pranishëm edhe deputetët e LDK-së

Me afro dy orë vonesë tashmë në sallën e Kuvendi të Kosovës kanë filluar të hyjnë deputetët e legjislaturës së tetë.

Edhe pse seanca e Kuvendit të Kosovës ishte paralajmëruar të fillojë në ora 18:00 një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Vetëm pak minuta më parë në sallën e Parlamentit kanë filluar të regjistrohen deputetët e parë që kanë arritur në sallë. Të pranishëm në sallë janë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, Avdullah Hoti, Armend Zemaj e shumë të tjerë veçse kanë zënë ulëset e tyre, edhe pse parashihej që pas zhvillimeve të mbrëmshme deputetët në fjalë të mos ishin sallë për votimin e ish-bashkëpartiakes për presidente.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët janë deklaruar para mediave thanë se nuk e dinë se përse ka ndodhur vonesa e deputetëve, por që të njëjtit u shprehën të bindur se Vjosa Osmani sonte do të votohet për presidente të vendit.

Duhet përkujtuar që për votimin e Presidentes së Kosovës në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave që i bie 80 vota për të, të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër. Lista Serbe nuk është deklaruar.


Shtuar 3.04.2021 19:43

Tags: ,