16 vjet kanë kaluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Këto vite nuk kanë zbehur kujtimet e Sali Rexhepit, punonjësit të Kuvendit të Kosovës, i cili ishte ngarkuar me përgatitjen dhe drejtimin e procedurave në momentin historik të shpalljes së pavarësisë.
Ai kujdesej që asnjë detaj të mos kalonte pa parapërgatitje dhe që procedurat do ndiqeshin e shteti i ri nuk do dështonte në hapat e parë të vendimmarrjes.
Rexhepi, drejtor për çështje plenare dhe procedurale në Kuvendin e Kosovës, rrëfen se si filluan përgatitjet për seancën e jashtëzakonshme të së dielës së dytë të shkurtit të ftohtë 16 vjet më parë, që nga kërkesa për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, mbajtja e mbledhjes së kryesisë, fillimi i shkrimit të skenarit e deri te akti i shpalljes së Pavarësisë.
‘Ka qenë ditë e diel, rreth orës 11:00 kemi marr një kërkesë të nënshkruar nga ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që kanë kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme me dy pika të rendit të ditës’, rrëfeu nën emocione Rexhepi.
Rexhepi që edhe pak muaj do pensionohet tregon se si në atë kohë në konsultim me Sekretarin dhe Kryetarin e Kuvendit, kishte përgatitur ftesën dhe rendin e ditës, ka ftuar anëtarët e kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare që të marrin pjesë në ora 12:00.
Në atë mbledhje u miratuan dy pikat e rendit të ditës ‘Deklarata e Pavarësisë’ dhe ‘Miratimi i simboleve shtetërore’.
‘Kanë marr pjesë tetë anëtarë të Kryesisë, pesë shefa të Grupeve Parlamentare, kryetari i Kosovës dhe kryeministri. Është diskutu dhe janë miratu pikat e rendit të ditës që të miratohen në seancë. Është caktu edhe rrjedha e folësve në seancë dhe është caktu që seanca të mbahet në ora 15:00, ne kemi ftu deputetët, kemi njoftu opinionin. Parapërgatitja ka qenë tërë ditën’, tregon Rexhepi.
Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.
Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, ‘një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë’.
Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë’- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.