Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) njoftoi se ka riemëruar Adrian Krastën, drejtor edhe për edicionin e dytë të Festivalit të Këngës në RTK.
Në muajin tetor, për herë të parë u organizua Festivali i Këngës nga RTK, ku fitues u zgjodh artisti i njohur La Fazani me këngën “Oj Kosovë”.
“Festivali i vitit të kaluar, i pari i këtij lloji në Kosovë, jo vetëm që magjepsi audiencën, por la gjurmë të pashlyeshme në skenën mbarëkombëtare të muzikës, duke qenë ngjarja më e madhe kulturore në vend. Festivali u dha hapësirë artistëve të rinj që përveç përformimit në festival, këngët e tyre transmetohen edhe në të gjitha kanalet e RTK-së”, thuhet në komunikatën e bordit.
“Duke u mbështetur në këtë qëllim, organizim dhe përvojë, edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK premton të jetë edhe më spektakolar, duke ofruar një platformë për artistët aspirantë që të shfaqin talentin dhe krijimtarinë e tyre në një platformë garuese mbarëkombëtare”.
RTK gjithashtu njoftoi se do të paraqesë aplikimin e saj në EBU që kënga fituese të përfaqësojë Kosovën në Eurovision.
“Ne jemi optimistë që kënga fituese e Festivalit të dytë me radhë do ta përfaqësojë Kosovën në këtë garë ndërkombëtare. Për këtë çështje është punuar në vazhdimësi nga bordi dhe menaxhmenti i RTK-së dhe është arritur të sigurohet përkrahje nga shumë vende, por në anën tjetër ka edhe pengesa të vazhdueshme për shkaqe politike nga disa vendet të cilat se njohin Kosovën”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.