“Rrahu një person”, Prokuroria ngre aktakuzë për menaxherin e Taynës

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurit Rinor Hykollin, menaxherit të reperes së njohur Tayna.

Ndaj tij rëndon akuza e lëndimit të rëndë trupor. Rinori u ndalua nga policia pas një konflikti të ndodhur në një klub në Gjilan.

“I pandehuri Rinor Hykolli, më 22 Korrik 2021 rreth orës 00:40 minuta në diskotekën “Stop”, në Gjilan me dashje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., duke e goditur me dorezë të revoles në pjesën e pasme të kokës, e më pas e ka goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i njëjti ka kërkuar trajtim mjekësor”, thuhet në aktakuzë.

Sipas kërkesës së prokurorisë, Hykolli gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 03 Tetor 2021 dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës është propozuar që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.


Shtuar 1.11.2021 15:09