Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka shprehur kritika për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Të lidhura
None found
Sipas Ramadanit, edhe pse kandidatët janë vlerësuar dhe renditur në bazë të pikëve të grumbulluara, Qeveria nuk ka propozuar ata që kanë marrë rezultatet më të larta.
Ai ka bërë të ditur se konkursi për anëtarët e ZRRE-së është hapur më 28 prill 2026 nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ndërsa më 10 korrik është krijuar Komisioni Rekomandues ad hoc.
Ramadani ka theksuar se gjatë datave 17 dhe 18 gusht, Komisioni ka përfunduar renditjen e kandidatëve në bazë të pikëve të marra në intervistë.
Megjithatë, sipas tij, propozimet e Qeverisë nuk kanë përfshirë kandidatët me vlerësimin më të lartë.
“Por, më të mirët në poentim nuk propozohen për Bordin e ZRRE-së, por më të dobëtit”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka nënvizuar se kandidatët e renditur në vendet e para, të treta, të katërta, të gjashta dhe të shtata nuk janë propozuar, ndërsa në listën e Qeverisë janë përfshirë kandidatët e renditur në vendet e dyta, të pesta, të teta dhe të nënta.
Deputeti e ka konsideruar këtë mënyrë veprimi si cenim të parimit të meritokracisë dhe ka vënë në dyshim rëndësinë e konkursit.
“Kjo i bie që konkursi nuk ka vlerë në këtë pushtet. Meritokracia është shkelur brutalisht!”, ka shkruar ai.
