Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e pestë në format elektronik, ku mori një sërë vendimesh dhe miratoi disa programe e projektligje.
Të lidhura
None found
Ndër aktet e miratuara është Programi i Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026–2028, së bashku me Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë.
Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë përcakton mënyrën e organizimit dhe zbatimit të këtij procesi në territorin e Republikës së Kosovës. Ai parasheh autoritetin përgjegjës, organet dhe strukturat pjesëmarrëse, si dhe procedurat e metodologjinë për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.
Me vendim është krijuar edhe Komisioni Qendror për vlerësimin e dëmeve në të mirat materiale, të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Ky komision do të funksionojë në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.
Një tjetër vendim i miratuar lidhet me themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.
Qeveria i ka dhënë dritën jeshile edhe Koncept-dokumentit për Fushën e Akreditimit.
Sipas njoftimit, ky dokument synon të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë, përfshirë standardizimin, metrologjinë, akreditimin dhe vlerësimin e konformitetit. Kjo infrastrukturë konsiderohet element i rëndësishëm për funksionimin e tregut të brendshëm, rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe lehtësimin e qasjes në tregjet ndërkombëtare.
Dokumenti, sipas Qeverisë, përputhet edhe me detyrimet e procesit të integrimit evropian, veçanërisht me përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit, në kuadër të kapitullit për lëvizjen e lirë të mallrave.
Gjatë mbledhjes është miratuar edhe rialokimi i mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, në nënprogramin “Projektet e Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale”. Mjetet i përkasin kategorisë së shpenzimeve “Investimet kapitale”.
Ky rialokim do të bëhet nga projekti kapital “Programi i Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale” drejt një projekti të ri kapital, në pajtim me Memorandumin e mirëkuptimit për projekte kapitale, të nënshkruara nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe kryetari i komunës përkatëse.
Po në këtë mbledhje janë miratuar Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë 2026–2027 dhe Programi Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
Qeveria ka miratuar gjithashtu Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë, i cili synon të krijojë bazën e nevojshme ligjore për promovimin dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit, projektligji përcakton objektivat e politikave kombëtare, masat dhe caqet për efiçiencë të energjisë. Zbatimi i tij pritet të kontribuojë në kursimin e energjisë, sigurinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit dhe luftimin e varfërisë energjetike.
Në përmbyllje, është miratuar edhe kërkesa e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, e datës 1 tetor 2026, për konfirmimin e interesit të përgjithshëm publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatëse nga Ndërmarrja Publike “Trepça” Sh.A.
