Policia e Kosovës gjen armë të tjera në veri pas sulmit terrorist në Banjskë

Policia e Kosovës ka kryer të shtunën bastisje në shtatë lokacione në pjesën veriore, lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

Policia ka thënë se të shtunën ka kryer bastisje në katër lokacione në Mitrovicë të Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë. Në Mitrovicë të Veriut, policia ka gjetur mjete shpërthyese, pushkë automatike dhe plumba. Në zonën e bastisjeve janë parë edhe pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani ka thënë se deri më tani nuk ka të arrestuar.

Si pasojë e sulmeve të 24 shtatorit ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbim e sipër të zjarrit në Banjskë janë vrarë edhe tre sulmues. Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, dhe ka prezantuar prova, që sipas saj e vërtetojnë këtë pretendim, mirëpo Serbia i ka hedhur poshtë ato. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiçi, i cili ka hequr dorë nga të gjitha funksionet partiake.

Policia ia ka konfiskuar pronat e tij në Kosovë dhe kërkon ekstradimin nga Serbia. Në Serbi ai është marrë në pyetje dhe është liruar brenda 24 orëve.


Shtuar 14.10.2023 14:01