“Nuk do e lejojmë”, Kurti për mediet malazeze: Vuçiç po kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçic po kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës,  me anë të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për mediet malazeze Kurti thotë se Kosova nuk do të lejojë të ndodhë diçka e tillë.

Albin Kurti:

Gjatë vitit 2013 është bërë shumë presion mbi deputetët që të arrihet shpejt ajo marrëveshje e Asociacionit. Mungonte transparenca e informacioni. Sot, institucionet e Kosovës drejtohen nga njerëzit që kundërshtuan marrëveshjen e vitit 2013, dhe që arritën fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021. Së dyti, aktgjykimi i Kushtetueses i dhjetorit të vitit 2015 me të drejtë thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është i integruar në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Gjithashtu Kushtetuesja konstatoi se vetë ideja e Asociacionit shkel 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, e cila nuk parasheh asnjë integrim territorial në baza etnike. Ne kemi një krijim të tillë në Bosnjë-Hercegovinë, quhet Republika Sërpska. Beogradi dëshiron një krijim të ngjashëm në Kosovë. Shpresoj të kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe kemi studiuar e analizuar saktë Serbinë e politikën e saj. Të cilën, për fat të keq, e kemi ndjerë në lëkurën tona. Dua që dialogu të bëhet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, e jo për shkëmbime territoreve. Ne jemi një shtet demokratik dhe zgjidhje të tilla nuk do të jenë në tavolinë. Aleksandar Vuçiq më nuk e përmend demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale. Në vend të kësaj, ai kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës”: një entitet autonom serb brenda Republikës sonë për të bërë Kosovën një shtet jofunksional. Ai dështoi, sigurisht. Nuk ka ndarje të Kosovës./albeu.com/