Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar përkohësisht seancën e shqyrtimit fillestar për 21 personat e akuzuar në lidhje me Masakrën e Reçakut, si pasojë e disa vështirësive teknike. Këtë e bëri të ditur Departamenti Special i kësaj gjykate përmes një komunikate zyrtare.
Të lidhura
None found
Procesi gjyqësor po zhvillohet pa praninë e të akuzuarve, të cilët po përballen me akuza për krime lufte ndaj civilëve gjatë konfliktit në Kosovë. Lista përfshin emrat: Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.
Këta individë akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Sipas njoftimit të shpërndarë në rrjetin social Facebook, pengesat teknike çuan në ndërprerjen e seancës, ndërsa autoritetet gjyqësore ende nuk kanë dhënë detaje se kur do të rimerret procesi.
Gjykata kishte vendosur që gjykimi të zhvillohej në mungesë, pas një propozimi të ardhur nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ky vendim u mor meqenëse të pandehurit nuk ishin të arritshëm për organet e drejtësisë në momentin e ngritjes së aktakuzës, dhe përpjekjet për t’i lokalizuar kishin dështuar.
Gjithashtu, gjykata u kishte bërë më parë një thirrje publike të gjithë të pandehurve, duke i ftuar që të paraqiteshin vullnetarisht dhe të dorëzoheshin para institucioneve të ndjekjes penale të Kosovës. Kjo seancë e sotme shënon fillimin e një prej proceseve më të rëndësishëm gjyqësorë për krimet e luftës të ndërmarra nga sistemi i drejtësisë vendase.
