Veteranët kanë tentuar të futen në Kuvendin e Kosovës, në protestën ku po shprehin pakënaqësinë e tyre me lënien jashtë nga projektligji i propozuar nga Qeveria për rritjen e pagës minimale.
Protesta e organizuar nga OVL-UÇK eskaloi kur veteranët ia mësynë dyerve të Kuvendit. Një kordon policësh u pozicionua menjëherë përpara institucionit më të lartë ligjvënës, raporton Gazeta Express.
Një ekip i T7 po qëndron në vendin e ngjarjes dhe sjell pamjet e fundit nga protesta.
Veteranët janë të indinjuar pasi Qeveria i la jashtë projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale.
Kundër këtij projektligji që parashihet të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit është shprehur Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj tha në një konferencë për media se “askujt nuk i duhen trazirat”.