Përfundon mbledhja e PDK! A do e mbështesin për presidente Vjosa Osmanin?

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se kjo parti në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës.

 

Partia Demokratike e Kosovës nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryetare të shtetit. Madje, deputetët e kësaj partie nuk dihet nëse do të qëndrojnë në sallë ditën kur do të votohet presidenti i ri i vendit.

Këtë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së partisë, Enver Hoxhaj, i cili para mediave ka thënë se nuk e kanë profesion pjesëmarrjen, por politikën.

Pas rreth gjashtë orë prej kur filloi mbledhja e Këshillit Drejtues, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj theksoi se kanë nxjerrë tri vendime të cilat janë jetike për të ardhmen e partisë. Veç tjerash organi më i lartë i partisë ka vendosur që të mos mbështesë Vjosa Osmanit për presidente.

“Këshilli drejtues i PDK-së në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e Osmanit për presidente. Ky është vendim i Këshillit Drejtues të PDK-së, dhe një vendim të tillë e mbështet edhe kryesia”, tha Hoxhaj.

Ai nuk ka përmendur arsyet e një vendimi të tillë, por tha se ka pasur debate të gjata. Ai po ashtu ka bërë të ditur se Lirak Çelaj dhe Xhevahire Izmaku kanë kërkuar dorëheqjen e kryesisë, por që një kërkesë e tillë nuk është përkrahur nga anëtarët tjerë të këshillit.

“Ka pasur dy zëra, Lirak Çelaj dhe Izmaku. E kemi vendosur në rend të ditës. Dy vota në raport me gjithë anëtarët e këshillit drejtues. Por janë zëra shumë të izoluar”, tha Hoxhaj.

I pyetur se a do të qëndrojnë në sallë deputetët e PDK-së ditën kur do të mbahet seanca për votimin e presidentit, Hoxhaj tha se nuk e kanë profesion pjesëmarrjen.

“Pjesëmarrjen si parti politike nuk e kemi profesion, ne jemi opozitë. Nuk e kemi profesion pjesëmarrjen, profesion e kemi betejën politike”, tha Hoxhaj.

Ndryshe, mbledhja e këshillit drejtues të PDK-së ka nisur qysh në orën 17:00.


Shtuar 17.03.2021 23:19