Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të pezullojë përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për situatën e krijuar gjatë konstituimit të Kuvendit.
Të lidhura
None found
Përmes një shkrese drejtuar kryetares së Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka bërë të ditur se ky qëndrim lidhet me shkeljet e vazhdueshme dhe të përsëritura të detyrimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit.
PDK-ja ka njoftuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar “vlerësimin dhe sqarimin kushtetues të situatës së krijuar”.
Në komunikatën për media, partia i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 124/25, duke theksuar se procedura e konstituimit duhej të mbyllej brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.
Sipas Arian Tahirit, përfaqësuesit e PDK-së morën pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, edhe pse afati kushtetues tashmë kishte përfunduar, me synimin për të ndihmuar në përmbylljen e procesit të konstituimit.
“Megjithatë, kjo gatishmëri nuk u shfrytëzua”, thuhet në shkresë, ku PDK-ja pretendon se më pas u shfaqën pengesa të tjera dhe se çështjet procedurale e politike u përdorën për ta zvarritur procesin.
Deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, PDK-ja ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e procesit dhe do ta mbajë të pezulluar kandidaturën e Vlora Çitakut.
Partia sqaron se kjo masë nuk përbën heqje dorë nga posti i nënkryetarit të Kuvendit, të cilin ajo konsideron se i takon.
“Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë”, thuhet në dokument.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, PDK-ja ka paralajmëruar rikthimin në Kuvend dhe veprimin në përputhje me përfundimet e saj.
