Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale, pas vrasjes tragjike të 25-vjeçares shtatzënë Jetlira Foniqi në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Të lidhura
None found
Në këtë takim u analizua mënyra se si kanë funksionuar mekanizmat institucionalë, si dhe u diskutuan masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e rasteve të dhunës.
Gërvalla deklaroi se ngjarje të tilla kërkojnë shqyrtim me përgjegjësi të plotë të veprimit institucional dhe angazhim maksimal për të mos lejuar përsëritjen e tyre. Sipas saj, çdo jetë e humbur i detyron institucionet të veprojnë më shumë dhe shumë më herët, duke përdorur çdo mundësi për parandalimin e rastit të ardhshëm.
Ajo vuri në dukje se shmangia e dhunës kërkon bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet. Duke iu referuar të dhënave të institucioneve përgjegjëse, Gërvalla bëri të ditur se për rastin dyshohet bashkëshorti i viktimës, Egzon Bytyqi, ndërsa Jetlira Foniqi nuk rezulton të ketë qenë e evidentuar më herët në ndonjë situatë që mund të sinjalizonte një rrezik të tillë.
Ministrja në detyrë theksoi se tani është e domosdoshme të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Ajo kërkoi që organet kompetente të hetojnë çdo rrethanë dhe që përgjegjësia të përcaktohet në përputhje me ligjin, pa lënë asnjë aspekt të ngjarjes të pashqyrtuar.
