Pa marrëveshje për dinarin, Kosova pajtohet me propozimin e Lajçakut

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë më 1 shkurt, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vendeve.

“Fatkeqësisht edhe sot kemi pasur dallime të mëdha”, tha kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për gazetarë pas takimit me homologun serb Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Derisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si serbët e Kosovës mund ta marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokat i Postanska banka (Kursimorës së Postës serbe) dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të licencohet ajo”, tha Bislimi, raporton REL.

Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.

“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Në takimin e kaluar në Bruksel, Petkoviq kishte thënë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.

Bislimi e akuzoi palën serbe se “nuk ishte e shqetësuar për qytetarët”, dhe se shqetësimi i saj kryesor ishte si ta licencojnë autoritetet kosovare bankën e Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës.

“Për herë të tretë sot e bënë të qartë se ne nuk jemi anëtarë të Bankës Qendrore dhe nuk mund të marrim vendime… e bëmë të qartë po ashtu se diçka që nuk është e ligjshme në Kosovë, nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes”, tha Bislimi.

Takimi i radhës pas rreth dy javëve

Petkoviq dhe Bislimi theksuan se do të ketë një takim të ri të katërt për këtë çështje pas rreth dy javëve.

Bislimi tha gjithashtu se pala serbe nuk e pranoi një propozim të “konsoliduar” të Lajçakut, për të cilin “ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve dhe e respekton rregulloren e Bankës Qendrore”.

“Duhet të takohemi pas dy javëve, atyre iu bë e qartë se ky do të jetë takimi i fundit, prandaj ata duhet të reflektojnë ose do të fajëson zyrtarisht për bllokimin e zgjidhjes”, tha Bislimi.

 


Shtuar 4.04.2024 16:16