OVL e UÇK-së ka bërë thirrje që të premten, në orën 12:00, të mbahet një protestë gjithëpopullore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas vendimit të Gjykatës Speciale.
Të lidhura
None found
Në një konferencë për media, Gazmend Syla deklaroi se organizata shpreh indinjatë të thellë lidhur me vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë ndërmarrje kriminale, por ka përfaqësuar rezistencën e popullit shqiptar. Ai theksoi se asnjë vendim nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës çlirimtare, ndërsa përsëriti thirrjen për protestën e nesërme në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu”.
Syla njoftoi gjithashtu se shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së do të krijojnë një Këshill Koordinues Kombëtar dhe një platformë që do të përfshijë Shqipërinë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, mërgatën dhe shqiptarët kudo që ndodhen.
Ai kërkoi që institucionet e vendit të angazhohen në këtë drejtim deri në zhvillimin e procesit të Apelit.
Gjatë fjalës së tij, Syla bëri të ditur se sot, në orën 16:30, do ta prezantojë platformën dhe më pas do t’u bashkohet studentëve që ndodhen në shesh.
