Dhomat e Specializuara në Hagë e dënuan Jakup Krasniqin me 25 vjet burg për krime lufte.
Të lidhura
None found
Vendimi u cilësua i padrejtë nga kunata e Krasniqit, e cila mes lotësh tha se familja kishte pritur ribashkimin me të. Sipas saj, as Krasniqi dhe as tre drejtuesit e tjerë të UÇK-së nuk e meritonin burgimin.
Ajo deklaroi se ata përfaqësojnë lirinë e popullit, pasi kanë luftuar për çlirimin e Kosovës. Kunata e Krasniqit shtoi se familjarët nuk e kishin parashikuar një përfundim të tillë dhe se prisnin që të dënuarit të ktheheshin për të festuar së bashku me familjet e tyre.
Duke e përshkruar Krasniqin si një njeri shumë të mirë, ajo tha se ishte tepër e emocionuar dhe e shqetësuar nga vendimi. Familja, sipas saj, kërkon drejtësi të plotë dhe lirimin e tyre në Apel, pasi konsideron se po mbahen padrejtësisht atje.
Kunata e tij theksoi se Krasniqi kishte luftuar dhe punuar për Kosovën, vetëm për lirinë e atdheut. Ajo tregoi se familjarët e ndoqën së bashku shpalljen e vendimit, të rraskapitur pas një jave pa gjumë.
“Kjo është një padrejtësi e madhe. Pse duhet të burgosen ata? Shkitë na kanë masakruar dhe vrarë, ndërsa këta janë bijtë më të mirë të vendit”, u shpreh ajo.
Në fund, kunata e Krasniqit ngriti pyetjen se ku ndodhet drejtësia, kur ai, në vend që të kthehej në shtëpi për të kaluar kohë me bashkëshorten, nipërit dhe mbesat, u dënua me 25 vjet burg.
