Agush Buja, ish-sekretar i udhëheqjes së Lëvizjes Popullore të Kosovës jashtë vendit, ka dhënë detaje për krijimin e fondit “Vendlindja Thërret” në Winterthur, kontributet e diasporës dhe dërgimin e automjeteve ushtarake zvicerane për nevojat e luftës në Kosovë.
None found
Sipas gazetës prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” – NZZ, Zvicra ishte një prej pikave më të rëndësishme të organizimit politik, financiar dhe logjistik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmia e Bujës është publikuar në prag të aktgjykimit që pritet të shpallet në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Buja, i cili jeton në Zvicër, e konsideron vendimtar rolin e këtij shteti në formimin dhe forcimin e UÇK-së.
“Zvicra ishte e një rëndësie shumë të madhe për themelimin e UÇK-së”, ka deklaruar ai për NZZ-në.
Gjatë viteve ’90, LPK-ja funksiononte publikisht në Zvicër si organizatë politike. Ajo kishte udhëheqje të zgjedhur, gazetën e vet dhe një strukturë të gjerë në mesin e diasporës shqiptare.
Ndërsa po afrohej lufta e viteve 1998–1999, dallimi mes veprimtarisë së LPK-së dhe asaj të UÇK-së nisi të zbehej gjithnjë e më shumë. LPK-ja siguronte fonde, grumbullonte materiale dhe nxiste shqiptarët në diasporë t’i bashkoheshin luftës.
Buja e sheh lidhjen mes këtyre dy organizimeve si të pandashme. “LPK-ja dhe UÇK-ja nuk mund të ndahen. Organizimi i armatosur doli drejtpërdrejt nga programi i LPK-së”, ka thënë ai.
Sipas rrëfimit të tij, gjatë viteve ’80 aktivistët shqiptarë në Zvicër përdornin demonstratat dhe aktivitetin politik në përpjekje për çlirimin e Kosovës nga pushteti jugosllav. Më vonë, fokusi u zhvendos te rezistenca e armatosur.
“E kuptuam se synimet tona duhej t’i arrinim në një mënyrë tjetër”, është shprehur Buja.
Një moment i rëndësishëm ishte takimi i drejtuesve të LPK-së në vitin 1993, në sallën e një restoranti në Winterthur. Në atë mbledhje u diskutua mënyra e financimit të luftës.
Si rezultat i këtij organizimi u krijua fondi “Vendlindja Thërret”, i cili më pas u bë një prej burimeve kryesore financiare të UÇK-së. NZZ shkruan se përmes tij u siguruan materiale të nevojshme për luftën, përfshirë armë dhe municion.
Buja thotë se vetëm në Zvicër vepronin më shumë se 1,000 persona të autorizuar për të mbledhur kontribute nga shqiptarët në mërgim. “Kanë dhuruar dhjetëra mijëra njerëz”, ka deklaruar ai.
Në korrik të vitit 1998, ndërsa lufta në Kosovë ishte zgjeruar, Prokuroria Federale e Zvicrës urdhëroi bllokimin e llogarisë së fondit “Vendlindja Thërret”. Përkohësisht u arrestua edhe Buja, ndërsa u kontrolluan banesa e tij dhe zyra e fondit në Aarau.
Hetuesit e pyetën atë për një shumë të madhe parash të dërguara në Shqipëri, si dhe nëse ato mjete ishin përdorur për blerjen e armëve.
Edhe në atë kohë, edhe sot, Buja ka deklaruar se nuk e dinte nëse paratë ishin përdorur për armë. Sipas tij, fondet ishin menduar për nevojat e përgjithshme të UÇK-së dhe të popullsisë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe “ndoshta edhe armë”.
Llogaria u zhbllokua më vonë, ndërsa procedura ndaj Bujës përfundoi në vitin 2004 pa ngritje akuze dhe pa dënim.
Prokuroria Federale i ka thënë NZZ-së se as disa procedura të tjera për blerje të dyshuara armësh nuk përfunduan me dënime në nivel federal. Autoritetet kanë sqaruar se disa të dyshuar ishin larguar, disa mund të ndiqeshin penalisht në Shqipëri, ndërsa raste të tjera u kaluan autoriteteve kantonale.
NZZ përmend edhe një ngjarje të fillimit të vitit 1999. Sipas ish-aktivistëve kosovarë, përkrahësit e UÇK-së siguruan disa dhjetëra kamionë të çmobilizuar të ushtrisë zvicerane dhe i nisën drejt Shqipërisë.
Transporti iu paraqit autoriteteve zvicerane dhe italiane si një dërgesë me ndihma humanitare. Megjithatë, aktivistët e cituar nga NZZ pretendojnë se kamionët u mbushën me armë në Shqipëri dhe më pas u përdorën nga forcat tokësore të UÇK-së në Kosovë.
Gazeta thekson se këto janë rrëfime të ish-aktivistëve dhe jo përfundime të konfirmuara përmes ndonjë vendimi gjyqësor.
NZZ e përshkruan Zvicrën si një vend me rol të veçantë në historinë e Kosovës. Sipas saj, ky shtet u dha hapësirë politike aktivistëve që më vonë u shndërruan në drejtues të UÇK-së, iu bashkua misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, dhe e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, vetëm dhjetë ditë pas shpalljes së saj.
Gazeta rikujton gjithashtu se në Zvicër kishte jetuar Hashim Thaçi. Ai u vendos në Dietikon në vitin 1994 dhe ndoqi studimet për histori të Evropës Lindore në Universitetin e Cyrihut.
Buja tregon se e njihte dhe e kishte mbështetur Thaçin në atë periudhë. Ai e kishte përfshirë edhe në një shoqatë kulturore shqiptare në St. Gallen.
Sipas NZZ-së, nga ky grup veprimtarësh dolën më vonë disa prej figurave kryesore të elitës politike dhe ushtarake të Kosovës.
Publikimi i kësaj historie lidhet nga NZZ me aktgjykimin që Dhomat e Specializuara pritet ta shpallin më 16 shtator ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Të katër përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të ngritura mbi forma të ndryshme të përgjegjësisë penale individuale. Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
NZZ sqaron se historia e financimit dhe furnizimit të UÇK-së nga diaspora nuk dëshmon se fondi “Vendlindja Thërret” kishte lidhje me krimet e përfshira në aktakuzë.
Agush Buja thotë se ende beson që ai dhe bashkëveprimtarët e tij ndodheshin në anën e drejtë të historisë. Pas pensionimit, ai synon të shkruajë kujtimet e tij për të dokumentuar këndvështrimin personal mbi ngjarjet që çuan në çlirimin e Kosovës.
Një rrëfim i Agush Bujës, ish-sekretar i udhëheqjes së LPK-së jashtë vendit, hedh dritë mbi krijimin e fondit “Vendlindja Thërret”…
Deputeti i AfD-së, Tobias Teich ka komentuar politikat e partisë që është pjesë pas fitores në Gjermani. I pyetur lidhur…
Një 17-vjeçare gjermane ka denoncuar një sulm të dyshuar seksual pas një nate në një klub nate në Rimini të…
Divjaka vijon protestën kundra projektit të PS për shkrirjen e bashkisë dhe kalimin në varësi të Lushnjes. Identiteti, historia dhe…
Shqiptari Alket Rizai, i njohur në Greqi për arratisjet spektakolare nga burgu dhe si ish-bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit Vasilis Paleokostas,…
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të heqin tarifën prej 10% që aktualisht aplikohet ndaj…