Categories: kosovë

Shtatë emrat e UÇK-së në aktgjykimin e 16 shtatorit: a mund të ketë pasoja të reja juridike?

Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci nuk kanë qenë të pandehur në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Megjithatë, emrat e tyre u përfshinë në aktgjykimin e 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të lidhura

None found

Gjatë shpalljes së vendimit fajësues për krime lufte ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), trupi gjykues, i njohur edhe si Gjykata Speciale, tha se shtatë figurat e tjera kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Sipas konstatimeve të gjykatës, Limaj, Geci, Mustafa dhe Gashi “ishin zbatues të zellshëm të qëllimit kriminal që kishte në shënjestër kundërshtarët”.

Çfarë nënkuptoi Specialja me “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”?

Trupi gjykues e arsyetoi ekzistencën e një “qëllimi të përbashkët kriminal” duke iu referuar disa elementeve, përfshirë vrasjet e shqiptarëve të dyshuar si bashkëpunëtorë dhe të serbëve, komunikatat politike, luftën speciale, qendrat e ndalimit, si dhe tolerimin, pranimin dhe nxitjen e krimeve ndaj kundërshtarëve.

Gjyqtarët vlerësuan se katër ish-komandantët e UÇK-së u kishin caktuar vetes dhe personave të tjerë role e funksione që u mundësuan të “kontrollonin zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal”.

Vlerësime për “kriminalizim retrospektiv” të udhëheqjes së UÇK-së

Geoffrey Nice, ish-prokuror i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), e ka cilësuar si “të paprecedentë” mënyrën se si Brahimaj, Limaj, Sylejman Selimi, Mustafa, Gashi, Buja dhe Geci u përmendën në aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), Nice shpjegon se në aktgjykime mund të thuhet se një person ka “vepruar në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me persona të panjohur”.

Avokati i licencuar në Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, deklaroi për REL-in se trupi gjykues kishte nevojë të përfshinte edhe “anëtarë” të tjerë në këtë “qëllim të përbashkët”, në mënyrë që katër të dënuarit të lidheshin me krimet e kryera nga persona të tjerë.

Nevenka Tromp, hulumtuese e TPNJ-së që ka përcjellë nga afër edhe procesin në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, tha se me këtë përfundim Gjykata Speciale e përshkroi të gjithë Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si pjesëmarrës në një “ndërmarrje kriminale”.

“Është një kriminalizim retrospektiv i strukturës qendrore komanduese të UÇK-së si tërësi, në një shkallë që aktgjykimet e vetë TPNJ-së nuk e vërtetuan kurrë”, tha Tromp për REL-in.

A mund të hetojë Prokuroria Speciale ndaj shtatë personave?

Përmbledhja e aktgjykimit të 16 shtatorit thotë se shtatë figurat e UÇK-së ishin pajtuar me “qëllimin e përbashkët kriminal”. Në të njëjtën kohë, dokumenti sqaron se ndaj tyre nuk është konstatuar fajësi dhe se ata vazhdojnë të gëzojnë prezumimin e pafajësisë.

Artan Qerkini theksoi se përmendja e emrave në aktgjykim nuk mund të konsiderohet kallëzim penal ndaj tyre.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka pasur këta emra në aktakuzën e vet që nga viti 2020, dhe për gjashtë vjet nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tyre”, tha ai.

Sa i përket mundësisë që shtatë të përmendurit të përballen me pasoja juridike, Qerkini tha se çështja e Sylejman Selimit është “e mbyllur përfundimisht”, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte ndërprerë hetimet ndaj tij në shkurt të vitit 2025.

Ai shtoi se edhe personat e tjerë janë përballur më herët me procese gjyqësore dhe se në këto raste zbatohet parimi i së drejtës penale “jo dy herë gjykim për të njëjtën çështje”.

Prokuroria Speciale i tha REL-it javë më parë se nuk komenton për “ekzistencën ose hollësitë e ndonjë hetimi”.

Sipas këtij institucioni, mandati i tij do të vazhdojë “derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe procedurat përkatëse kanë përfunduar”.

Shukri Buja, i cili u përmend nga trupi gjykues më 16 shtator, nuk beson se ndaj tij mund të nisë ndjekje penale, pasi prokurorët e Speciales i mbyllën në vitin 2024 hetimet që kishin filluar pesë vjet më herët.

“Jam rasti i parë që i kanë mbyllur hetimet, dhe në njëfarë forme e kanë shpallur luftën time të drejtë dhe të panjollosur”, tha Buja për REL-in.

Ai deklaroi se cilësimi “anëtar i ndërmarrjes së përbashkët kriminale” nuk e dëmton reputacionin e tij. Sipas Bujës, ndryshe ka ndodhur me aktgjykimin që “padrejtësisht” njollosi katër ish-krerët e UÇK-së.

Cilat kanë qenë përvojat gjyqësore të shtatë figurave?

Disa prej shtatë personave të përmendur në aktgjykim janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Përpara kësaj, ata kishin kaluar nëpër përvoja të ndryshme me sistemin e drejtësisë për çështje që lidhen me krimet e luftës.

Lahi Brahimaj dhe Fatmir Limaj janë gjykuar nga TPNJ-ja, por të dy u shpallën përfundimisht të pafajshëm. Limaj u shpall i pafajshëm edhe në rastet “Kleçka” dhe “Bellanica” në Kosovë.

Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi janë dënuar nga gjykatat në Kosovë për krime lufte. Selimi më vonë u shpall i pafajshëm gjatë rigjykimit të njërit prej rasteve.

Sabit Geci është dënuar në Kosovë për krime lufte ndaj civilëve, ndërsa Shukri Buja nuk është përballur me ndonjë proces gjyqësor për krime lufte.

Ish-prokurori Nice tha se duhet pritur publikimi i aktgjykimit të plotë për të kuptuar nëse gjykata do të japë arsyetim lidhur me përfshirjen e këtyre shtatë emrave në çështjen kundër katërshes së UÇK-së. / REL

të fundit

Chief prosecutor appoints prosecutors to oversee prosecution offices across the country

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë vendim për caktimin e prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) si…

4 minutes ago

PDK criticizes recent appointments, Musliu-Shoshi tells Konjufca: “Stop with the nephews and nieces

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, kritikoi ashpër emërimet e fundit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe…

4 minutes ago

Ignazio Cassis in Pristina tomorrow, with trade, KFOR and new Swiss embassy on the agenda

Këshilltari federal dhe shefi i diplomacisë së Zvicrës, Ignazio Cassis, zhvillon nesër, më 5 nëntor, një vizitë zyrtare në Kosovë.…

5 minutes ago

The state failed to protect her: The femicide that shook Kosovo

Arlinda Zekaj iu drejtua policisë shumë herë duke kërkuar mbrojtje. Por policia mendonte se ajo po e ekzagjeronte. Më 25…

5 minutes ago

Cyberattacks on refrigeration systems alarm Europe: how temperatures can be changed remotely and what measures should be taken

Një formë e re dhe shqetësuese e sulmeve kibernetike po kërcënon sigurinë ushqimore në Europë. Hakerat po arrijnë të depërtojnë…

5 minutes ago

Abdul El-Sayed mposht Mike Rogers në Michigan; pritet të jetë senatori i parë mysliman në SHBA dhe ironizon J.D. Vance për betimin në janar

Demokrati Abdul El-Sayed ka fituar garën për një vend në Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke mposhtur kandidatin republikan…

6 minutes ago