Peja është tronditur nga një ngjarje e rëndë që ka prekur familjen e rapsodit të njohur Hasan Çetaj.
34-vjeçari Arianit Çetaj u gjet pa shenja jete paraditen e së enjtes në banesën e familjes, në rrugën “Vëllazëria Dalemani” në Pejë.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve, pak orë përpara tragjedisë, ai kishte qenë në një dasmë në Prizren, ku kishte marrë pjesë së bashku me të atin dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.
Familjarët u kthyen në shtëpi rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe më pas shkuan të pushonin.
Rreth orës 09:30, babai dhe vëllai i Arianitit e gjetën atë të përkulur mbi një divan në tarracën e shtëpisë.
Pas konstatimit të gjendjes, familjarët njoftuan menjëherë Emergjencën dhe Policinë. Megjithatë, mjeku kujdestar konfirmoi se 34-vjeçari nuk kishte shenja jete.
Pas ngjarjes në vendin e saj mbërritën njësitet policore, hetuesit, krimteknikët, si dhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u transportua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet obduksionit.
Rasti është regjistruar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa shkaku i saktë i humbjes së jetës pritet të sqarohet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore.
Arianit Çetaj ishte djali i rapsodit të njohur Hasan Çetaj.
Familjes Çetaj, të afërmve dhe miqve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
