Nëntë zyrtarëve të punësuar në institucionet që funksionojnë nën Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u janë ndërprerë kontratat e punës, ka njoftuar ministrja në detyrë, Fitore Pacolli.
Prej tyre, shtatë ishin zyrtarë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, kurse dy të tjerët punonin në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Të lidhura
None found
Pacolli ka sqaruar se dy zyrtarët e Agjencisë Kadastrale i përkasin komunitetit serb dhe njihen gjithashtu si ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.
Sipas saj, shkëputja e kontratave është vendosur për shkak të mungesave të vazhdueshme në punë dhe duke u mbështetur në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Pas këtyre vendimeve, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në institucionet në varësi të saj numri i përgjithshëm i kontratave të ndërprera ka shkuar në 29.
“Më herët u janë ndërprerë kontratat 20 zyrtarëve të MMPH-së, ndërsa tani masa është marrë edhe ndaj nëntë zyrtarëve të AMMK-së dhe AKK-së”, ka deklaruar Pacolli.
Ministrja në detyrë ka nënvizuar se të gjithë të punësuarit në institucionet publike janë të detyruar t’i përmbushin përgjegjësitë e përcaktuara në kontratën e punës. Ajo ka paralajmëruar se ligji do të zbatohet pa bërë dallime.
“Në zbatimin e ligjit nuk do të bëjmë kompromis, pavarësisht përkatësisë apo pozitës, pasi zyrtarët publikë kanë detyrimin t’u shërbejnë qytetarëve me përgjegjësi dhe duke respektuar plotësisht detyrën zyrtare”, ka thënë Pacolli.
