Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, vazhdoi të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. I akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Krasniqi edhe kësaj here deklaroi se është i pafajshëm.
Të lidhura
None found
Seanca po zhvillohet para një trupi të ri gjykues, të përbërë nga Violeta Namani-Hajra, në cilësinë e kryetares, si dhe Medie Bytyqi e Vesel Ismaili, anëtarë. Lajmi raportohet nga “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë kësaj seance u konfirmua se fjalët hyrëse dhe dëshmitë e dhëna më herët në proces konsiderohen të lexuara. Ato ishin administruar kur trupin gjykues e drejtonte gjyqtari Arben Hoti, i cili ndërkohë është avancuar në Gjykatën e Apelit.
Me kërkesë të avokatit Virtyt Ibrahimaga, trupi gjykues sqaroi paraprakisht se nuk kishte komunikuar me prokurorin Dren Paca. Ky i fundit kishte dalë gjatë pauzës nga pjesa e zyrave të gjyqtarëve. Prokurori Paca gjithashtu mohoi çdo komunikim me gjykatësit, përveç kontakteve me stafin e tij.
Krasniqi e kishte kundërshtuar akuzën që në seancën fillestare të 8 tetorit 2024, ndërsa të njëjtin qëndrim e mbajti edhe më 3 korrik 2025.
Aktakuza ndaj tij është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 19 gusht 2024. Në të, Nagip Krasniqi ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi, gjatë kohës kur drejtonte KEK-un, nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi, dyshohet se ka aprovuar blerje, ka nënshkruar kontrata, ka autorizuar nënshkrimin e tyre dhe ka konfirmuar vazhdimin e tregtimit me operatorin slloven “Holding Slovenske Elektrane” SE.
Prokuroria pretendon se këto veprime janë kryer me qëllim që operatorit t’i mundësohej tregtimi i energjisë elektrike në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë. Sipas aktakuzës, Krasniqi ishte në dijeni se tregtimi nuk mund të zhvillohej pa licencim nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ose pa njohjen e licencës së operatorit nga ky institucion.
Në aktakuzë thuhet se veprimet e dyshuara i kanë siguruar operatorit përfitim pasuror dhe shmangie nga detyrimet tatimore në Kosovë. Si pasojë, buxheti i Kosovës pretendohet se është dëmtuar në shumën prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë, ndërsa operatorët e tjerë ekonomikë konkurrentë, të licencuar dhe që përmbushnin detyrimet tatimore, janë dëmtuar dhe diskriminuar. Dëmi material ndaj KEK-ut, sipas Prokurorisë, arrin në 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Provat e Prokurorisë përfshijnë edhe një dënim të shqiptuar ndaj KEK-ut nga ZRrE për shkelje të konstatuara në blerjen e energjisë. Raporti i rregullatorit kishte evidentuar se, në bazë të ligjeve në fuqi, tregtimi i energjisë mund të kryhet vetëm nga operatorë të pajisur me licencë të lëshuar nga ZRrE dhe të regjistruar në Kosovë.
Sipas këtij raporti, aktivitetet pa licencë mund të lejoheshin vetëm kur operatorët posedonin licencë në shtetet e tyre. Megjithatë, një licencë e tillë mund të njihej në Kosovë vetëm pasi të plotësoheshin kushtet e përcaktuara në Rregulloren për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.
ZRrE, sipas aktakuzës, i kishte kërkuar disa herë KEK-ut, përmes shkresave dhe postës elektronike zyrtare, që të vepronte në përputhje me ligjin dhe të ndalonte tregtimin e energjisë me operatorë të palicencuar.
Më 19 gusht 2022, ZRrE kishte monitoruar në kohë reale aktivitetin e tregtimit dhe kishte konstatuar se KEK-u, pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave të përsëritura, vazhdonte të vepronte në kundërshtim me ligjin.
Grupi punues i KEK-ut ishte pajtuar që t’i zbatonte gjetjet e raportit të ZRrE-së. Në aktakuzë citohet se KEK-u do t’i respektonte përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si institucion i autorizuar për rregullimin e sektorit energjetik dhe i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi.
Po ashtu, në atë qëndrim thuhej se KEK-u do ta ndërpriste tregtimin e energjisë me tregtarët që nuk paraqisnin licencë ose dëshmi nga ZRrE-ja se nuk kishin nevojë për licencë, pasi ishin shteruar të gjitha mundësitë e komunikimit me rregullatorin.
Prokuroria pretendon se kjo përgjigje nuk i ishte përcjellë ZRrE-së në tërësi. Sipas saj, në emailin e dërguar nga Eljas Jashari ishin përfshirë vetëm komentet kundërshtuese ndaj gjetjeve të ZRrE-së, me arsyetimin se operatorët nuk kishin nevojë për licenca shtesë, pasi ishin të licencuar në shtetet e tyre.
“Sipas përgjigjes së lartcekur rezulton se ZRrE-së nuk i ishin përcjellë qëndrimet e grupit punues të KEK, por qëndrimi personal i Nagip Krasniqit”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza i referohet edhe opinionit të zyrës ligjore të KEK-ut, ku në kopje të emailit ishte edhe Nagip Krasniqi. Sipas këtij opinioni, qëndrimi i ZRrE-së ishte i drejtë dhe i akuzuari ishte vënë në dijeni se rregullatori duhej respektuar, pasi ishte autoriteti shtetëror kompetent për këtë fushë.
Në të njëjtin opinion thuhej se edhe në rastet kur KEK-u i kishte dërguar çështjet në gjykatë, ZRrE-ja kishte fituar, ndërsa kërkesëpaditë e KEK-ut ishin refuzuar, pasi kompetenca e rregullatorit për çështjet e energjisë elektrike ishte përfundimtare.
Nagip Krasniqit, sipas Prokurorisë, i ishte përcjellë edhe një email nga Departamenti i Menaxhimit të Tregtimit me Energjinë. Në të kërkohej konfirmimi i tij nëse duhej vazhduar tregtimi me operatorin “HSE”, ndërsa theksohej se përgjigjja e dërguar ZRrE-së linte të kuptohej se tregtimi duhej të vazhdonte.
Krasniqi ishte përgjigjur: “konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRrE-së”. Si rezultat, tregtimi me këtë operator të palicencuar vazhdoi deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës, në maj 2023, përkatësisht në gusht 2023.
Në të njëjtën korrespondencë, drejtori operativ Luigj Imeri i kishte kërkuar kryeshefit Krasniqi konfirmimin përkatës. Prokuroria thotë se pas përgjigjes së Krasniqit, Anjeta Zeqiri dhe Besa Shatri kishin reaguar me tallje.
“Hahaha ja ke prish tripat”, “Ej qetu Luigji ka pas me dhanë dorëheqje…i paska ra pishman”, shkruhej në replikat e emailit zyrtar.
Operatori slloven, sipas aktakuzës, nuk figuroi në listën e kompanive të licencuara dhe, bazuar në të dhënat e ARBK-së, nuk ishte i regjistruar as si biznes në Kosovë.
Aktakuza i referohet edhe shkresës së KEK-ut të 7 gushtit 2023. Në të vërtetohet se, pas arrestimit të Nagip Krasniqit për një çështje që nuk lidhet me këtë rast, KEK-u më 19 maj 2023 fillimisht e kishte njoftuar “HSE”-në për pezullimin e bashkëpunimit.
Më vonë, KEK-u e kishte informuar operatorin se kontrata po shkëputej për shkak të mungesës së licencës së lëshuar ose të njohur nga ZRrE-ja. Sipas njoftimit, nëse “HSE” do të dëshmonte se posedonte një licencë të tillë, KEK-u mund të niste procedurën për lidhjen e një kontrate të re.
Ndërkohë, më 30 dhjetor 2024, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur edhe një aktakuzë tjetër ndaj Krasniqit, ku ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
