Nagavci kërkon zgjedhjen urgjente të Presidentit të Kosovës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka apeluar që procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës të përfundojë sa më shpejt, duke e konsideruar këtë një nevojë urgjente për vendin.

Të lidhura

None found

Në një postim, ajo ka vënë në dukje rëndësinë e stabilitetit institucional, përgjegjësisë politike dhe funksionimit të institucioneve me mandat të plotë.

“Sot Kosovës i duhet Presidenti. Vendi ynë ka nevojë për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe institucione me mandat të plotë”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, zgjedhja e Presidentit lidhet edhe me nevojën për mbrojtjen e së vërtetës mbi luftën e UÇK-së, çështje që kërkon angazhim të bashkërenduar në disa nivele.

“Në një kohë kur mbrojtja e së vërtetës për luftën e UÇK-së kërkon veprim të koordinuar juridik, politik dhe diplomatik, Republika ka nevojë për përfaqësim të fuqishëm dhe institucione funksionale”, thuhet në postimin e saj.

Nagavci u ka bërë thirrje institucioneve dhe deputetëve që të mos lejojnë zvarritjen e mëtejshme të këtij procesi.

“Për këtë, na duhet t’ia japim vendit Presidentin sot. Një President i zgjedhur do t’i sillte Kosovës stabilitet dhe siguri institucionale. Kjo vendimmarrje nuk mund të shtyhet më tej”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka shtuar se përgjegjësia për marrjen e këtij vendimi tashmë qëndron përpara institucioneve dhe deputetëve.

“Kjo përgjegjësi është sot para nesh”, ka përfunduar Nagavci.