Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Lulzim Hiseni, zhvilloi ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti francez Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit, Hiseni përcolli përshëndetjet e autoriteteve të Kosovës dhe shprehu mirënjohjen për rolin e Francës në momente të rëndësishme të historisë së Kosovës, përfshirë Konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, procesin e rindërtimit dhe forcimin e institucioneve të vendit, si edhe njohjen e pavarësisë.
Ambasadori i Kosovës deklaroi se do të angazhohet për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, duke u mbështetur në një komunikim të vazhdueshëm politik dhe në zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, kulturë dhe universitete.
Ai vlerësoi gjithashtu se partneriteti me Francën është i rëndësishëm për përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, rritjen e rolit të saj në arenën ndërkombëtare dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
