Rrustem Mustafa i PDK-së ka deklaruar se vendi ndodhet në një moment që kërkon përgjegjësi politike, ndërsa partisë së tij i takon një rol vendimtar për krijimin e një qeverie normale.
Të lidhura
None found
Ky qëndrim i Mustafës pason deklaratën e kryetarit të PDK-së se partia do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.
Në një reagim në Facebook, Mustafa theksoi se pas zgjedhjeve, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme dhe një ekzekutiv funksional.
Sipas tij, politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, të kontribuojë në fuqizimin e shtetit dhe të mbrojë partneritetin strategjik me aleatët e Kosovës.
Mustafa tha se PDK-ja është e përgatitur të marrë një rol përcaktues në ndërtimin e qeverisë së re, duke vepruar me përgjegjësi, vizion të qartë dhe orientim euroatlantik.
Ai vlerësoi se Kosova nuk mund të humbasë më kohë me bllokada dhe eksperimente politike, pasi e ardhmja kërkon stabilitet, institucione të fuqishme dhe vendime të përgjegjshme.
“Koha është për një qeveri normale. Koha është për Kosovën”, u shpreh Mustafa.
Ai shtoi se Kosova duhet të heqë dorë që sot nga përllogaritjet taktike dhe pengesat politike, duke vendosur në plan të parë interesin shtetëror dhe krijimin e institucioneve funksionale.
