Lumi Erenik në Junik pritet të bëhet lumi i parë në Kosovë që rehabilitohet duke përdorur zgjidhje të bazuara në natyrë, ka njoftuar ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi.
Të lidhura
None found
Në një postim në Facebook, Pacolli-Dalipi ka shpjeguar se projekti parashikon heqjen e betonizimit, me qëllim që lumit dhe hapësirës përreth t’u rikthehen tiparet natyrore.
“Ereniku i Junikut do të jetë lumi i parë në Kosovë që çlirohet nga ngulfatja e betonit dhe rehabilitohet tërësisht përmes Nature-Based Solutions (Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë), duke i kthyer zonës të gjithë magjinë e saj natyrore”, ka shkruar ajo.
Për të përcaktuar hapat e ardhshëm drejt zbatimit të projektit, ministrja në detyrë ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, me të cilin ka arritur pajtim për vazhdimin e procesit.
Pacolli-Dalipi ka bërë të ditur gjithashtu se realizimi i tërësishëm i projektit do të merret përsipër nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Tani e tutje projektojmë me natyrën e jo kundër saj”, ka deklaruar Pacolli-Dalipi.
