Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj R.H. dhe Q.H., të dyshuar për “Blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Të lidhura
None found
Materiali akuzues pretendon se dy të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në mënyrë të përsëritur, nga 22 tetori 2025 deri më 9 janar 2026 kanë shitur kokainë te persona të ndryshëm. Veprimtaria dyshohet se është zhvilluar në rrugën “Rifat Dedia”, në lagjen Kolloni të Mitrovicës.
Sipas aktakuzës, sasitë e lëndës narkotike të shitura kanë variuar nga 0.22 deri në 0.50 gramë.
Gjatë kontrollit të kryer në bazë të urdhrit përkatës, autoritetet kanë sekuestruar te të pandehurit katër qese me substancë narkotike, me peshë totale 1.7 gramë, një mulli për bluarjen e narkotikëve, dy telefona mobilë dhe 1,700 euro para të gatshme.
Pas ngritjes së aktakuzës, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që R.H. dhe Q.H. të shpallen fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen në përputhje me ligjin.
