Procesi i rinumërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka përfunduar, me synimin që të garantohet saktësia e numërimit të fletëvotimeve në QKN.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, deklaroi se në orën 12:00 është mbyllur rinumërimi për të gjitha 185 vendvotimet për të cilat KQZ kishte marrë vendim. Ai tha se të dhënat e dala nga ky proces tashmë janë përditësuar në platformën e rezultateve të KQZ-së.
Të lidhura
None found
Sipas Elezit, me këtë hap KQZ e ka përfunduar administrimin e procesit që përfshin aktivitetet si në QKN, ashtu edhe në QNR. Ai theksoi se institucioni është i gatshëm të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, por fillimisht duhet pritur nëse do të ketë ankesa që lidhen me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR.
Ai bëri të ditur gjithashtu se para shpalljes së rezultateve, KQZ-ja do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të verifikuar nëse ndonjë ankesë ndodhet ende në shqyrtim.
Elezi njoftoi se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të hartojë një raport të hollësishëm për gjetjet në secilin vendvotim. Sipas tij, qëllimi i rinumërimit është që të sigurohet se procesi i numërimit të fletëvotimeve në QKN është zhvilluar me saktësi dhe në përputhje me vullnetin e votuesve të shprehur në fletët e votimit.
Ai tha se të gjitha aktivitetet në QNR dhe në QKN janë transparente dhe se gjatë punës në tavolinat e numërimit mund të vërehen vazhdimisht gjetje të ndryshme. Këto, sipas tij, do të pasqyrohen në raportin që do të përgatisë QNR-ja, i cili do të jetë i detajuar për secilin vendvotim dhe më pas do t’u dërgohet anëtarëve të KQZ-së për shqyrtim dhe vendimmarrje.
Lidhur me çdo gjetje të dyshimtë gjatë rinumërimit, Elezi tha se, nëse ka dyshime për ndonjë keqpërdorim, zyrtarët e KQZ-së do të njoftojnë organet kompetente, përfshirë Prokurorinë, që të ndërmarrin masat e tyre.
Afati për paraqitjen e ankesave nga kandidatët për deputetë do të jetë 48 orë, duke nisur nga ora 12:00 e pasdites të ditës së premte.
