Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me ndarjen e një mandati të rezervuar për komunitetin serb, të cilin e fitoi Nenad Rashiqi.
Të lidhura
None found
Në kërkesën e saj, kjo parti i kërkon Kushtetueses të përcaktojë nëse respektohet qëllimi i mandateve të rezervuara në rastet kur në përzgjedhjen e përfaqësuesve serbë ndikojnë votat e qytetarëve që nuk janë pjesëtarë të këtij komuniteti.
Sipas Listës Serbe, institucionet gjyqësore dhe zgjedhore nuk e kanë siguruar mbrojtjen kushtetuese të vendeve të garantuara për komunitetet joshumicë.
Partia vlerëson se mandatet e rezervuara nuk përbëjnë thjesht privilegje formale, por janë garanci kushtetuese që synojnë përfaqësimin autentik të komuniteteve.
Gjykata Supreme, më 7 korrik, e refuzoi ankesën e Listës Serbe, në të cilën pretendohej se subjekti politik i Nenad Rashiqit e kishte fituar mandatin e garantuar kryesisht përmes votave të siguruara në komunat me shumicë shqiptare.
