Ligji për Specialen ende pa dekretim, OVL-UÇK paralajmëron se protestat mbeten mundësi reagimi

Gazmend Syla, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ka bërë të ditur se protestat nuk përjashtohen si mënyrë reagimi ndaj Gjykatës Speciale. Megjithatë, ai ka theksuar se organizata do t’u japë përparësi përpjekjeve institucionale.

Të lidhura

None found

Duke iu referuar deklaratave të kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, Syla i ka cilësuar ato si “qesharake”. Sipas tij, Gjykata Speciale nuk mund të qëndrojë mbi shtetin e Kosovës.

“Ajo ka me na tregu neve, në cilin vend mundet me nejtë një i paraburgosur deri në gjashtë vjet pa marrë vendimin përfundimtar, në cilin vend të botës gardiani mundet me u bo prokuror. Kjo gjykatë nuk mund të jetë mbi shtetin tonë”, ka deklaruar Syla.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së ka përsëritur se rruga institucionale do të jetë zgjedhja e parë, por ka lënë të hapur edhe mundësinë e mobilizimit në rrugë.

“Ne gjithmonë e zgjedhim rrugën e parë, institucionale, por do t’ia tregojmë vendin edhe në forma tjera zonjës Trendafilova e secilit që provon me na shkelë sakrificën tonë. Ne do të jemi të gatshëm edhe me u ballafaqu me protesta, por sigurisht se i gëzohemi faktit për grupin punues. Protestat do të jenë gjithmonë evidente”, ka thënë ai.

Syla është shprehur edhe për miratimin e Ligjit për Specialen, duke ngritur pikëpyetje për faktin se presidentja e re, Justina Shiroka-Pula, ende nuk e ka dekretuar atë.

Ai ka komentuar gjithashtu edhe qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti.

“Zonja Shiroka ka ardhë aty për me dekretu këtë ligj. Pse nuk e ka bërë deri tash, me gjasë frikësohet nga diçka. Ende nuk e kemi parë seriozitetin e zotit Kurtit, edhe pse e kanë dhënë mbështetjen kur i kanë ngritë duart në Parlament”, ka deklaruar Syla.


Shtuar më 20.10.2026 13:31