Kosova ka arritur një rezultat të rëndësishëm në fushën e inovacionit kundër korrupsionit, pasi projekti i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), “Shkolla për Integritet dhe Parandalim të Korrupsionit: Fuqizimi i të Rinjve për të Ndërtuar një Kulturë të Integritetit”, është vlerësuar si një nga pesë nismat më novatore në Evropë dhe është renditur i dyti pas votimit të institucioneve pjesëmarrëse të rrjetit.
Të lidhura
None found
Lajmi u bë publik sot, në përfundim të vlerësimeve të zhvilluara gjatë Konferencës së 25-të Vjetore Profesionale dhe Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Evropian kundër Korrupsionit (EPAC) dhe Rrjetit Evropian të Pikave të Kontaktit kundër Korrupsionit (EACN). Aktiviteti u mbajt nga 5 deri më 7 tetor 2026 në Budva të Malit të Zi.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit mori pjesë në konferencë përmes një delegacioni të drejtuar nga Drejtori Yll Buleshkaj, ku ishte edhe Udhëheqësi i Divizionit për Sinjalizim, Milot Shala.
Konferenca bashkoi autoritete kundër korrupsionit, struktura të mbikëqyrjes së policisë, institucione të Bashkimit Evropian dhe organizata ndërkombëtare. Diskutimet u përqendruan te mbrojtja e interesave financiare të BE-së, Inteligjenca Artificiale dhe mekanizmat për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Sipas APK-së, iniciativa e saj, e zbatuar në bashkëpunim me D+, u përzgjodh mes pesë projekteve më inovative nga 114 institucione evropiane. Pas votimit të institucioneve pjesëmarrëse në rrjet, projekti mori vendin e dytë.
“Ky sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën në inovacionin anti-korrupsion është arritur pasi nisma e APK-së, “Shkolla për Integritet dhe Parandalim të Korrupsionit: Fuqizimi i të Rinjve për të Ndërtuar një Kulturë të Integritetit”, e zbatuar në bashkëpunim me D+, u zgjodh në mesin e 5 projekteve më inovative nga 114 institucione në Evropë. Pas procesit të votimit, projekti u kurorëzua në vendin e dytë nga institucionet pjesëmarrëse të rrjetit”, thuhet në njoftimin e APK-së.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme u miratua edhe Deklarata e Budvës. Dokumenti vë në dukje nevojën për bashkëpunim konkret në luftën kundër korrupsionit dhe shpreh shqetësim për përpjekjet në disa vende për të kufizuar pavarësinë e institucioneve që merren me parandalimin e korrupsionit. Në deklaratë theksohet gjithashtu domosdoshmëria e ruajtjes së autonomisë operacionale të këtyre institucioneve dhe e mbrojtjes së sinjalizuesve.
APK-ja deklaroi se përmes kësaj nisme, me të cilën Kosova u rendit e dyta në Evropë, konfirmohet rëndësia e edukimit të të rinjve si një prej shtyllave kryesore për parandalimin e korrupsionit dhe krijimin e një kulture integriteti në shoqëri.





