Lëvizja pa viza për Kosovën: Sa dinë qytetarët për liberalizimin?

Kanë mbetur edhe 15 ditë deri në heqjen e vizave.

E Qeveria e Kosovës të premten, pati një njoftim për qytetarët që u shkoi si mesazh, e ku informoheshin ndër të tjera se u lejohen vetëm lëvizje afatshkurtra jashtë vendit. Kjo dhe kampanja që u bë për këtë proces, sipas njohësit të integrimeve evropiane, Dritero Arifi, s’ishte e mjaftueshme që ta ndalë migrimin që mund të ndodhë.

“Ka qenë jashtëzakonisht i zbehtë dhe ka filluar shumë vonë, dhe vetëm ndërtimi i këtij narracioni në shoqërinë kosovare, që me 1 janar ikë fuqia punëtore tregon dështimin e qeverisë”, deklaroi Arifi.

Ndryshe mendon, profesori universitar, Dorajet Imeri, njofton Klan Kosova.

“Kosova deri tash ka pasur mjaftueshëm kampanja vetëdijësuese për qytetarët e saj, sa i takon të drejtave që ata do të fitojnë në momentin kur vizat do të liberalizohen, sa këto do të respektohen mbetet të shihet”, tha Imeri.

Në mbledhjen e fundit ekzekutivi themeloi Mekanizmin për Paralajmërimin e Hershëm për Monitorimin e Trendeve të Migrimit. Derisa përpos videomesazheve në rrjete sociale pati realizuar edhe një kampanjë që nisi më 5 tetor e vazhdoi në 20 komuna të Kosovës.


Shtuar 16.12.2023 23:02