Lidhja Demokratike e Kosovës do ta zhvillojë sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, pasi janë përmbyllur procedurat e përcaktuara me statut dhe janë verifikuar nënshkrimet e delegatëve që kërkuan thirrjen e tij.
Të lidhura
None found
Partia ka njoftuar se kërkesa ka siguruar mbështetjen e nevojshme statutare nga të paktën një e treta e delegatëve, duke mundësuar kështu mbajtjen e mbledhjes.
Punimet e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së janë caktuar të nisin në ora 18:00.
Kjo mbledhje zhvillohet në kohën kur LDK-ja po përballet me tensione të brendshme. Një grup delegatësh ka kërkuar largimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, me arsyetimin se partia duhet të mbajë përgjegjësi politike për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Në komunikatën zyrtare, LDK-ja ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në pajtim me Statutin e partisë. Po ashtu, është theksuar se Kuvendi do të organizohet mbi bazën e demokracisë së brendshme, transparencës dhe respektimit të vullnetit të delegatëve.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm pritet të përbëjë një prej ngjarjeve më të rëndësishme politike brenda LDK-së gjatë këtij viti. Delegatët do të shqyrtojnë gjendjen në parti dhe veprimet që do të ndërmerren më tej, ndërsa mbetet të shihet nëse do të hidhet në votim shkarkimi i Abdixhikut apo ai do të vazhdojë ta drejtojë LDK-në.
