LDK e vendosur, 3 deputetët nuk e votojnë Vjosa Osmanin për presidente

Sot në ora 17:00 është paraparë vazhdimi i seancës së mbrëmshme të Kuvendit për votimin e presidentit të ardhshëm të vendit.

Kjo seancë pason nga dita e djeshme pasi që mungoi kuorumi në vendimmarrje gjatë votimit të përsëritur të raundit të parë për presidentin.

Deputetët e LDK-së, ndonëse të gjithë në sallë, ishin të ndarë për sa i përket votës për Vjosa Osmanin. Tre deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj, nuk morën pjesë fare në votim, e herën e parë as Valentina Bunjaku. Megjithatë, në votimin e dytë, ajo mori pjesë, por megjithatë, në kuti ishin vetëm 79 vota (duhen 80), duke pamundësuar kalimin tutje të procedurave, shkruan Zeri.info.

E në një prononcim për “Zërin”, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, deklaroi bindshëm se nuk do të ketë ndryshim nga ana e tyre as sot sa i përket votimit të Vjosa Osmanit për presidente të shtetit.

“Nuk do të ketë as edhe një ndryshim”, deklaroi Gashi shkurt për “Zërin”, kur u pyet nëse ka ndonjë ndryshim të qëndrimeve të treshes.

Gjatë seancës së djeshme, munguan dy deputetë të komuniteteve joserbe, Fadil Gashi (Romani Iniciativa) dhe Adem Hoxha (Jedinstvena Goranska Partija), të cilët e kishin votuar më parë qeverinë “Kurti 2”.

Ndërkaq, e pranishme ishte edhe deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, përkundër qëndrimit të GP të partisë së saj se nuk do të qëndrojnë në sallë për t’ia bërë kuorumin Osmanit.

Edhe PDK-ja ka dalë kundër Osmanit presidente, por Xhavit Haliti, deputet i kësaj partie, ka thënë se do të votojë pro Osmanit për presidente. Ai e kishte votuar edhe Qeverinë Kurti, edhe përkundër qëndrimit kundër të partisë së tij.


Shtuar 4.04.2021 16:34