Kryeministri Albin Kurti ka përshëndetur krijimin e Qeverisë Kurti 4, duke thënë se drejtimi i saj do të përqendrohet te shërbimi ndaj qytetarëve dhe mbështetja e familjes.
Të lidhura
None found
Sipas tij, mandati i ri synon të rikthejë në jetën e përditshme sigurinë dhe mirëqenien, ndërsa investimet dhe prodhimtarinë pritet t’i japin më shumë dinamizëm veprimtarisë sipërmarrëse.
Kurti ka deklaruar se qeveria e tij nuk e sheh rishpërndarjen sociale si pengesë për ekonominë. Përkundrazi, ai e ka cilësuar atë si nxitës të zhvillimit ekonomik.
Kryeministri ka thënë se shpërndarja e rritjes ekonomike ka ndihmuar në uljen e varfërisë dhe pabarazisë, si dhe ka rritur kërkesën në ekonomi, duke sjellë më shumë qarkullim për bizneset dhe shtim të mëtejshëm të pasurisë.
“Qeveria jonë është shërbim për publikun dhe jo privilegj për pakicën. Ky mandat synon ta rikthejë fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit, si dhe investimet e prodhimtarinë në kulturën e ndërmarrësisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se politika e qeverisë nuk synon të subvencionojë pasurinë, por punën që e krijon atë, duke vënë theksin te qasja publike dhe universale, e jo te rezultatet e veçanta private.
“Gjatë këtyre pesë viteve, ndonëse pothuajse një vit e gjysmë kemi qenë Qeveri në detyrë, kemi ndërtuar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar kryeministri.

Kurti ka uruar Qeverinë Kurti 4 dhe kabinetin e udhëhequr prej tij për nisjen e mandatit të ri.
