Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka arritur në Kuvendin e Kosovës për t’u takuar sërish me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Të lidhura
None found

Takimi mes dy liderëve është paraparë të nisë në orën 18:00 dhe pritet të fokusohet te zgjedhja e Presidentit të Kosovës.
Gjatë ditëve të fundit, Kurti dhe Abdixhiku kanë shtuar komunikimin mes tyre, në një përpjekje për të arritur konsensus pas zhvillimeve politike që e kanë bërë të domosdoshëm një dakordim për procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.
Edhe pse VV-ja dhe LDK-ja kanë dallime politike, takimet e tyre po zhvillohen me synimin për të shmangur një krizë të re institucionale.
Para hyrjes në takim, Kurti u deklaroi shkurtimisht mediave se palët po punojnë për të parandaluar shkuarjen në zgjedhje.
“Po i vazhdojmë takimet dhe të evitojmë zgjedhjet. Deri kur të kemi marrëveshje, na duhet të ruajmë konfidencialitetin. Unë gjithmonë pres më të mirën. Andaj, me vullnet të mirë po shkoj në mbledhje sot”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi se emrat e mundshëm për President do të mbahen të fshehtë derisa të arrihet një marrëveshje.
Tash mbetet të shihet nëse takimi i sotëm do të sjellë afrim të ri mes dy palëve dhe nëse ato do të pajtohen për hapat e ardhshëm në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
