Kuçi: Serbia synon të mbulojë të kaluarën, por njëkohësisht kërcënon me luftë të re

Politologu Gurakuq Kuçi ka komentuar zhvillimet e fundit, duke vlerësuar se ngjarjet e kësaj jave nxjerrin hapur në pah dallimin ndërmjet viktimës dhe agresorit. Ai ka rikujtuar se në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut po kryhen gërmime në një zonë ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive me mbetje mortore të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës. Ndërkohë, familjarët e tyre vijojnë të kërkojnë drejtësi edhe pas 27 vitesh.

Të lidhura

None found

Kuçi ka vënë në dukje se, paralelisht me këto kërkime, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përdor gjuhë kërcënuese, duke thënë se Serbia ka arsye për të hyrë në luftë dhe duke shfaqur me krenari fuqinë ushtarake të shtetit të tij.

Sipas politologut, kjo sjellje nuk duhet të pranohet si normale, veçanërisht në një periudhë tensionesh ndërkombëtare, sepse mund të nxisë ambiciet politike të Serbisë ndaj Kosovës. Ai nënvizon se paqja ndërtohet vetëm duke ndriçuar krimet, duke gjetur personat e zhdukur dhe duke garantuar drejtësi për viktimat.

Postimi i plotë:

Image

Në kohën kur kërkimet për viktimat e krimeve të kryera nga Serbia ende vazhdojnë, Vuçiqi po e kërcënon Kosovën me një konflikt të ri.

Zhvillimet e kësaj jave e bëjnë më të dukshëm se kurrë kontrastin ndërmjet agresorit dhe viktimës.

Në Kalludër të Vogël, në Zubin Potok, kanë nisur gërmimet në një vend ku dyshohet se gjendet një varrezë masive me mbetjet mortore të shumë intelektualëve shqiptarë. Dy persona të dyshuar për krime lufte janë arrestuar, ndërsa ka dyshime se mbetjet mund t’u përkasin 23 shqiptarëve që u rrëmbyen dhe u zhdukën në prill të vitit 1999. Edhe pas më shumë se 27 vitesh, familjet vazhdojnë të presin identifikimin e njerëzve të tyre të dashur dhe vendosjen e drejtësisë.

Në të njëjtën periudhë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaron se Serbia “ka çdo arsye për të hyrë në luftë”, teksa mburret me armatimin dhe aftësitë ushtarake të shtetit që drejton.

Kemi të bëjmë me një paradoks që nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në normalitet.

Nga njëra anë, viktimat e gjenocidit dhe të krimeve të luftës të Serbisë ende kërkohen në vende të dyshuara si varreza, ndërsa nga ana tjetër, udhëheqësi i po atij shteti kërcënon me konflikt dhe përpiqet ta paraqesë luftën si alternativë të arsyeshme.

Në një periudhë kur paqja në Lindjen e Mesme po kalon sprova të rënda dhe përplasja ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë vijon pa ndonjë zgjidhje të dukshme, Vuçiqi dhe Serbia po rikthejnë retorikën luftarake. Me këtë qasje, ata sugjerojnë se rrethanat globale mund të ofrojnë një terren më të përshtatshëm për përmbushjen e synimeve të tyre politike kundrejt Kosovës, sipas logjikës së iniciativës për multipolarizimin e botës.

Paqja nuk ruhet përmes kërcënimeve për luftë. Mbrojtja e saj kërkon përballje me të shkuarën, zbardhje të krimeve, gjetjen e të zhdukurve dhe drejtësi për viktimat. Ata që besojnë se kjo mund të realizohet përmes stabiliokracisë dhe politikës së paqëtimit, në të vërtetë po ushqejnë përshkallëzimin e situatës së tanishme.


Shtuar 29.07.2026 18:36

holiganbetJojobetHoliganbet girişGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetcasibomJojobetcasibomjojobetjojobetcratosroyalbetcasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın algrandpashabetGrandpashabetcasibom