Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës zhvilloi mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi situatën e fundit politike në vend dhe hapat që do të ndërmarrë partia në vijim.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit, Grupi Parlamentar i PDK-së u vlerësua për angazhimin e tij në mbrojtje të Kushtetutës, rendit juridik dhe parimeve demokratike në Kosovë.
Anëtarët e Kryesisë konstatuan se shkeljet e Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës janë të dukshme. Sipas tyre, këto veprime cenojnë themelet e Kosovës si shtet demokratik dhe parlamentar.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se ruajtja e Kushtetutës, institucioneve dhe rendit demokratik është një detyrim i përbashkët. Ai theksoi se PDK-ja mbetet e përcaktuar për ta përmbushur këtë përgjegjësi.
Kryesia bëri të ditur se do ta monitorojë me vëmendje vijimin e zhvillimeve politike dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, demokracisë dhe parlamentarizmit në Kosovë.
