Kosova ndërron rivalët për miqësoret e qershorit, kjo është arsyeja

Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se për shkak që Qeveria e Kazakistanit nuk e ka lejuar Kombëtaren e këtij vendi të udhëtojë në Kosovë, ndeshja miqësore e paraparë për t’u zhvilluar më 4 qershor në Prishtinë, Kosovë-Kazakistan është anuluar, derisa në këtë datë Dardanët do të luajnë miqësore me Maltën në Austri.

Ndërkohë, miqësorja tjetër e paraparë për t’u zhvilluar në Antalia më 8 qershor kundër Komorosit, do të zëvendësohet me Guinenë, pasi Komorosi për shkak të restrikcioneve për hyrje në Turqi si pasojë e Covid-19, e ka të pamundur të udhëtojë në këtë datë në Antalia.

Të rikujtojmë se Dardanët gjatë muajit qershor do t’i zhvillojnë katër miqësore.

Fillimisht më 1 qershor do të përballen me San Marinon në “Fadil Vokrri”, e më pas do të udhëtojnë në Austri për t’u përballur me Maltën (më 4 qershor), derisa më pas do të udhëtojnë në Antalia, ku do të zhvillojnë miqësoret me Guinenë dhe Gambinë, më 8 përkatësisht 11 qershor.

 


Shtuar 18.05.2021 16:32