Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë formalizuar një marrëveshje të re dypalëshe, duke hedhur një hap tjetër përpara në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit institucional mes dy shteteve.
Nënshkrimi u krye nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Nikolaus Marschik.
Të lidhura
None found
Me këtë marrëveshje rregullohet e drejta e anëtarëve të familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor për të ushtruar veprimtari fitimprurëse gjatë kohës së shërbimit në shtetin pritës, duke krijuar lehtësira më të mëdha për familjet e diplomatëve të të dy vendeve.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, Zëvendësministri Ahmeti zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm Marschik, ku u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë për zgjerim të mëtejshëm të bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe zhvillimet më të fundit politike e të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Gjatë vizitës u zhvilluan edhe konsultimet politike mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë. Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi Zëvendësministri Ahmeti, ndërsa ai austriak u kryesua nga Ambasadorja Elisabeth Kornfeind.
Në këto konsultime u fol për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, marrëveshjet që janë në proces, organizimin e forumit të ardhshëm ekonomik Kosovë-Austri, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Të dy palët shprehën gatishmëri për t’i vijuar rregullisht konsultimet politike dhe për ta orientuar bashkëpunimin drejt rezultateve konkrete dhe nismave të reja dypalëshe.
