Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër në detyrë i Parë dhe ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka reaguar për Forumin e Dubrovnikut, ku u mblodhën përfaqësues shtetesh, diplomatë dhe mendimtarë politikë për të diskutuar “mbi rendin e ri ndërkombëtar”.
Në një postim në Facebook, ai bëri të ditur se në këtë forum pati mundësinë të paraqesë qëndrimin e Kosovës lidhur me çështjet që ndikojnë rajonin dhe të ardhmen e tij evropiane.
Të lidhura
None found
“Në forumin e sivjetshëm të Dubrovnikut, ku u mblodhën përfaqësues shtetesh, diplomatë e mendimtarë politikë për të diskutuar mbi rendin e ri ndërkombëtar, pata rastin të përfaqësoj qëndrimin e Kosovës për çështjet që prekin rajonin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane. Në margjinat e forumit zhvillova një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman. Kroacia mbetet një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës. Biseduam për marrëdhëniet tona shumë të mira, për bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme kroate ndaj rrugës euroatlantike të Kosovës, përfshirë NATO-n dhe Këshillin e Evropës. E falënderova Ministrin Radman për mikpritjen në Dubrovnik, për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm dhe për përkrahjen e qartë që Kroacia i ka dhënë Kosovës në momentet e saj të rëndësishme”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, Konjufca ishte pjesë edhe e panelit “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor: Zgjidhja së bashku e çështjeve të papërfunduara”.
Në këtë diskutim u trajtuan perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian, sfidat e hapura në Ballkanin Perëndimor dhe e ardhmja e përbashkët evropiane.
“Po ashtu, mora pjesë në panelin “The EU and the Western Balkans: Resolving Unfinished Business Together”, ku diskutuam për sfidat e hapura të Ballkanit Perëndimor dhe për nevojën që paqja, stabiliteti dhe e ardhmja evropiane e rajonit të ndërtohen mbi parime, jo mbi shtyrje të pafundme. Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe për vendin që i takon në familjen euroatlantike”, tha ai.
