Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëroi gjatë javës së kaluar se vendi mund të përfshihej nga stuhi të fuqishme, me bubullima, reshje të dendura shiu, breshër dhe erëra të forta. Sipas paralajmërimit, stuhitë mund të sillnin goditje rrufesh, duke rrezikuar njerëzit dhe kafshët, si dhe të shkaktonin dëme në rrjetin elektroenergjetik, ndërprerje të energjisë elektrike dhe pengesa në rrjetet e telekomunikacionit.
Të lidhura
None found
Pas këtij njoftimi, komunat kanë ngritur shqetësimin se nuk disponojnë mjete të mjaftueshme financiare për menaxhimin e situatave të tilla. Për këtë arsye, ato po kërkojnë krijimin e një fondi emergjent.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se ka rritur nivelin e gatishmërisë në aspektin operativ dhe atë koordinues.
Në përgjigjen me shkrim, AME sqaroi se gatishmëria operative nënkupton përcjelljen e paralajmërimit te të gjitha njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit. Ndërkaq, pjesa koordinuese përfshin plotësimin e stafit në Qendrën Operative të Agjencisë dhe zbatimin e procedurave standarde operative për koordinimin e mbështetjes ndaj nivelit lokal.
Agjencia theksoi se, kur një fatkeqësi i tejkalon kapacitetet e komunës së prekur, AME nis dhe bashkërendon ndihmën e ndërsjellë nga komunat fqinje dhe institucionet e nivelit qendror.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, deklaroi për kp se mundësitë financiare të komunave për t’u përballur me stuhi janë tejet të kufizuara. Sipas tij, përgjegjësia institucionale për situata të tilla i takon nivelit qendror të qeverisjes.
Ibrahimi tha se komunat ndodhen në gjendje jashtëzakonisht të pafavorshme financiare, ndërsa dhjetëra miliona euro, sipas tij, u merren padrejtësisht. Për pasojë, ato nuk kanë kapacitet të ndërmarrin masa të rëndësishme lidhur me ndryshimet klimatike.
Ai nënvizoi se Qeveria e Republikës së Kosovës administron buxhetin shtetëror dhe se niveli qendror menaxhon mbi 77-78% të tij. Për këtë arsye, sipas Ibrahimit, komunat nuk mund të ndërmarrin veprime të mëdha financiare pas paralajmërimeve për stuhi.
Kreu i Asociacionit të Komunave shtoi se niveli qendror mban përgjegjësinë institucionale edhe për mbulimin ose rimbursimin e dëmeve që vërshimet dhe dukuritë e tjera natyrore u shkaktojnë bujqësisë, qytetarëve, infrastrukturës dhe bizneseve.
Ibrahimi bëri të ditur se qytetarë nga komuna të ndryshme vazhdojnë të presin kompensimin nga Qeveria për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e vitit 2022.
Sipas tij, moskrijimi i Fondit Emergjent, pavarësisht kërkesave të paraqitura, është një nga shkaqet e këtyre vonesave. Ai tha se Asociacioni ka evidentuar dy masa që do të mundësonin kompensim më të shpejtë për qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore.
Si masë të parë, Asociacioni ka propozuar themelimin e një fondi emergjent për komunat. Ibrahimi shpjegoi se kjo do të ishte një linjë buxhetore përmes së cilës niveli qendror do të reagonte menjëherë nëpërmjet komunave, pasi këto të fundit nuk kanë linjë të posaçme për mbulimin e kostove të vërshimeve.
Ai theksoi se mungesa e kësaj linje po e zvarrit kompensimin e dëmeve dhe se disa qytetarë nuk po marrin dëmshpërblim të plotë për humbjet e pësuara.
Problemi i dytë, sipas Ibrahimit, lidhet me burokracinë në nivelin qendror. Pasi komunat përgatisin raportet për dëmet e shkaktuara nga dukuritë natyrore, përfshirë vërshimet, ato miratohen në kuvendet komunale.
Ai rikujtoi se kuvendi komunal është organi më i lartë vendimmarrës në nivelin lokal dhe përbëhet nga anëtarë që përfaqësojnë si pozitën, ashtu edhe opozitën. Megjithatë, kur raportet dërgohen në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, ato mund të rishqyrtohen dhe të rivlerësohen, duke e zgjatur më tej procesin.
Për të shmangur këtë zvarritje, Asociacioni ka kërkuar që komisionet vlerësuese të përbëhen njëkohësisht nga përfaqësues të komunave dhe të nivelit qendror. Sipas Ibrahimit, procedurat burokratike po marrin kohë të panevojshme.
Edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar themelimin e Fondit Emergjent, duke vlerësuar se një mekanizëm i tillë do ta ndihmonte administrimin e situatave emergjente.
Latifi tha se komunat e Kosovës aktualisht nuk kanë fonde emergjente. Ai rikujtoi se është kërkuar dhe është bërë thirrje që komunave t’u lejohet të kenë të paktën fondin e tyre emergjent, në mënyrë që të mund t’i menaxhojnë këto raste.
Sipas tij, është e domosdoshme që komunat të kenë fond emergjent dhe të drejtën për të administruar situatat që krijohen nga fatkeqësitë elementare natyrore.
Kryetari i Rahovecit i bëri gjithashtu thirrje Qeverisë së Kosovës që të kompensojë dëmet e qytetarëve të kësaj komune, të cilat arrijnë në 3-4 milionë euro.
Latifi deklaroi se ka ardhur momenti i fundit që Qeveria të paguajë dëmet e shkaktuara në komunat e Republikës së Kosovës. Ai tha se qytetarët e dëmtuar të Komunës së Rahovecit presin që nga viti 2022 ekzekutimin e pagesave prej 3-4 milionë eurosh, në mënyrë që të lehtësohen pasojat e dëmeve të krijuara ndër vite.
Ndërkohë, autoritetet komunale në Mitrovicën e Jugut thanë se janë përballur me vërshime që në fillim të mandatit. Zëdhënësi i komunës, Shkëlzen Haliti, deklaroi se situata ishte menaxhuar mirë dhe se ishin ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, ndonëse në atë kohë mungonin drejtorët e drejtorive përkatëse.
Edhe Haliti e konsideroi të domosdoshëm krijimin e Fondit Emergjent. Sipas tij, ky fond do ta lehtësonte në tërësi punën e komunës dhe do të mundësonte që qytetarëve t’u ofrohej ndihmë në kohë reale.
Ai shpjegoi se, në raste emergjencash të ndryshme, procedurat ligjore për pagesa dhe çështje të tjera mund të zgjasin. Një fond i siguruar paraprakisht, sipas Halitit, do t’i mundësonte komunës të ndërhynte më shpejt dhe në mënyrë më efikase, duke iu përgjigjur menjëherë nevojave të qytetarëve.
Kosova është përballur gjatë viteve të fundit me vërshime, të cilat kanë shkaktuar dëme në shumicën e komunave.
