Kearns: Perëndimi po gabon me Serbinë, të hiqen saknsionet ndaj Kosovës

Alicia Kearns, kryetarja e komitetit të përzgjedhur për punët e jashtme në Dhomën e Komunave, tha se Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Gjermania, Franca dhe Italia duhet të heqin sanksionet ndaj Kosovës dhe të largohen nga një qasje me qendër Beogradin.

Në mars, Beogradi dhe Prishtina ranë dakord në parim për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, por armiqësitë u ndezën përsëri, duke kulmuar në shtator, kur një përplasje e armatosur midis militantëve serbë dhe policisë në një manastir në Kosovën veriore la katër persona të vdekur.

Rrethimi i manastirit vuri frenat në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve, një proces i vazhdueshëm që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia dhe u njoh nga shumica e fuqive perëndimore – një lëvizje që Beogradi ka thënë se nuk do ta pranojë kurrë.

Kearns paralajmëroi Westminster në korrik se militantët serbë po fusnin armë kontrabandë në Kosovë, duke rrezikuar një shpërthim dhune. Kjo shkaktoi reagimet e ashpra nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç si dhe NATO, që u shprehën se nuk kishte prova për një aktivitet të tillë.

Por pas rrethimit vdekjeprurës në shtator, policia e Kosovës konfiskoi armë të rënda dhe municione me vlerë miliona dollarë, duke përfshirë granatahedhës, mina, mitralozë dhe automjete të blinduara.

“Kini parasysh atë që thashë në qershor,” tha Kearns. “Armët vinin me ambulanca nga Serbia në Kosovë dhe ruheshin nëpër kisha. Dhe çfarë kemi parë? Armët që kanë ardhur qartazi nga Serbia. . . Dy nga terroristët që vdiqën atë ditë nga të shtënat ishin shoferë të ambulancës. Dhe ku u fshehën? Në një manastir.”

Serbia ka mohuar vazhdimisht se i kishte furnizuar sulmuesit me armë dhe ka ngritur akuza penale kundër Milan Radojcic, organizatorit të sulmit. Por pasi e arrestuan fillimisht, autoritetet serbe e lanë të largohej me kusht që të mos largohej nga vendi.

Kearns paralajmëroi se pavarësisht se ndërmjetësuesit e BE-së dhe perëndimit kërkuan një kthim në tryezën e bisedimeve, situata do të mbetej e tensionuar.

“Nuk ka asnjë shenjë që bandat e krimit të organizuar që veprojnë brenda Kosovës të jenë ndalur. Nuk ka asnjë shenjë nga pala serbe. . . “, tha ajo. “Sistemi ndërkombëtar ishte bashkëpunëtor në pretendimin se nuk kishte grupe të krimit të organizuar në Kosovë”.

Ajo tha se perëndimi duhet të përdorë më shumë nga provat që ka dhe të godasë rrjetet e kontrabandës së armëve.

“Ne nuk mund ta pranojmë premisën se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën,” u shpreh ajo. “Kosova nuk mund të braktisë aspiratat për integrim të plotë perëndimor”. /albeu.com


Shtuar 22.11.2023 16:01